Google ADS

Testi i maturës u shpërnda në rrjetet sociale, MAShT: Do të merren masa ndaj administruesve dhe nxënësve

15:42 | 27 Gusht 2022
L G

Është mbajtur sot afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ndërsa u raportua në media se edhe kësaj radhe janë shpërndarë në rrjetet sociale pyetjet.

E Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në një komunikatë për media thekson se në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

“Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas MASHTI-t referuar informatave të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator./arbresh.info/

Të ngjashme