Tesla njoftoi se dëshiron të prodhojë vetura elektrike në Kinë, për t’iu shmangur tarifës prej 25 për qind mbi automjetet e importuara, shkruan Reuters.
Kompania nuk ka bërë të ditur kohën se kur do të nisë ndërtimin e fabrikës në Kinë, por tha se pret që këtë ta qartësojë deri në fund të vitit.
Aksionet e Tesla kanë arritur 1.5 për qind në 382 dollarë.
Qeveria qendrore në Kinë kërkon nga kompanitë e huaja sikurse Tesla që të ketë një partner kinez për prodhimin e veturave të reja.
Tesla nuk ka bërë të ditur se cila kompani do të jetë partnere e saj, pavarësisht spekulimeve se Tencent Holdings Ltd mund të jetë njëra prej tyre.
Po ashtu, Tesla nuk ka bërë të ditur se cilat vetura planifikon që t’i ndërtojë në Kinë. Sidoqoftë, një furnizues i njohur me kompaninë ka bërë të ditur se këto mund të jenë modelet 3 Sedan dhe crossover model Y.
Prodhimi i Model 3 pritet të nisë në korrik në fabrikën e Tesla në Kalifornia, ndërsa modeli Y është përcaktuar të prodhohet kah mesi i vitit 2019.
Tesla është prodhuesi më i vlefshëm i veturave amerikane, me një kapital të tregut prej më shumë se 60 miliardë dollarësh./Arbresh.info/