Google ADS

Tërnava pret në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier, ia jep një dhuratë me motive fetare

15:39 | 10 Dhjetor 2024
E.G

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim lamtumirës, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Tërnava e ka falënderuar ambasadorin dhe Amerikën për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën, shkruan Arbresh.info.

Ai tha se shqiptarët në përgjithësi, por populli i Kosovës në veçanti, gjithnjë do të jenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë çfarë kanë bërë për Kosovën.

Me rastin e pensionimit të tij, Myftiu Tërnava falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e tij dhe të Ambasadës Amerikane me Bashkësinë Islame të Kosovës në projekte të ndryshme, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij dhe të institucionit të BIK-ut që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërkaq Hovenier, falënderoi Tërnavën për pritjen dhe për bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai vlerësoi lart rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe po jep Bashkësia Islame e Kosovës në kultivimin e vlerave të harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në vend, si dhe për përçimin e mesazheve për paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Më tutje bëhet e ditur se Tërnava në fund të këtij takimi i uroi ambasadorit amerikan shëndet dhe mbarësi në jetën e tij, si dhe i dhuroi një dhuratë me motive nga trashëgimia jonë e çmuar fetare./Arbresh.info/

Të ngjashme