Dita në të cilën u hoq autonomia e Kosovës, pikërisht 23 marsi i vitit 1989, ish-deputetes Melihate Tërmkolli i kujtohej mjaft mirë.
Ajo në një intervistë për Telegrafin tregon se cili ishte statusi që dëshironte të merrte Kosova në ato momente të vështira.
“Kushtetuta e ’74-ës ka garantuar disa të drejta sa i përket autonomisë, të drejta relativisht të mëdha për shqiptarët, ndërsa është tjetër se sa janë zbatuar në praktikë. Edhe më herët lëvizjet e shqiptarëve kanë pretenduar Republikë ose njësi e barabartë me njësitë tjera, sepse ishim popullata e tretë për nga numri në ish Jogusllavi, vetëm serbët dhe kroatët kishin numër më të madh. Kurse kishte statusin e Republikës edhe Sllovenia që kishte numër më të vogël të banorëve se Kosova, edhe Maqedonia si dhe njësitë tjera. Ne u vumë para situatës që me politikën ekspansioniste serbe, të përpiqemi që maksimalisht ta mbrojmë edhe atë autonomi, sepse rrezikohej”, ka thënë ajo.
Tërmkolli ka thënë se në atë periudhë kishin ndodhur ngjarje të mëdha, sidomos në raportet Serbi-Kosovë.
“Përpjekjet e Serbisë për të suprimuar autonominë, për ta futur Kosovën në okupim dhe për të zhvilluar pretendimet e tyre siç u panë më vonë. Pra ishte kohë e rëndë për të gjithë shqiptarët, andaj të gjithë përpiqeshin që të mos bëheshin ndryshime kushtetuese. Ne e dimë shumë mirë lëvizjet e mëdha që ndodhën në atë kohë në vitin ’88-’89, është greva e njohur e minatorëve që bëri bujë në opinionin ndërkombëtar, mandej marshet e mëdha të shqiptarëve që vinin në Kosovë në funksion të mbrojtjes së asaj kushtetute që e kishim fituar me shumë mund ne”, është shprehur ajo.
Ndër të tjera Tërmkolli ka thënë se është mirë që në ditët e sotme të kujtohet ajo kohë që të mos harrohet historia.
“Ajo kohë është mirë të kujtohet në funksion të asaj sa kemi mësuar nga krejt ato pësime që i kemi pasur në gjithë historinë tonë më të re. Është mirë të kujtohet si një lëvizje e mirë e shqiptarëve që filloi dhe kulmoi me vitin ’89 me themelimin e LDK-së, por si paraprijëse ishin krejt ato lëvizje që ishin vënë në funksion të mbrojtjes së interesave të Kosovës dhe qytetarëve, duke e mbrojtur Kushtetutën e 74’ës, dhe duke kërkuar barazi dhe shkëputje në kuptimin e njohjes së pavarësisë. Është mirë të kujtohen në këtë prizmë, dhe të mos na përsëriten gabimet e historisë që jo rrallë herë po përsëritën, sepse me gjasë nuk po dimë ose nuk po duam të mësojmë nga gabimet e së kaluarës”, ka thënë ajo.
Thotë se Kosova është e pavarur, mirëpo thekson se statusi që fitohet duhet ditur si të mbahet.
“Gjendja e pakrahasueshme është sot sepse jemi shtet i pavarur, por ajo çka duhet të marrim mësim gjithmonë është që edhe mund të fitohen statuse, mirëpo edhe duhet ditur si t’i mbajmë. Në fakt po dëshmojmë që jo vetëm që nuk po dimë t’i mbajmë, por përkundër deklaratave, kjo politikë aktuale është duke punuar kundër interesave të qytetarëve. Ne po i shohim raportet me Serbinë, ajo nuk është ndalur asnjëherë të punojë kundër Kosovës dhe nuk do të ndalet edhe kohë të gjatë. Serbia mund të ketë sukses vetëm atëherë kur ne punojmë kundër vetës, dhe kundër interesit të qytetarëve, përndryshe, është dëshmuar që sa herë kemi punuar për interesa të qytetarëve Serbia asnjëherë nuk ka mundur të na dëmtojë”, ka deklaruar ajo.
Brazili do të ndalojë përdorimin e celularëve në shkollat fi...
Deri në 90 minuta pritjet për të hyrë në Kosovë nga Dheu i B...
Parashqevi Simaku dërgon mesazh të paharrueshëm nga New York...
Parashikimi i motit në Shqipëri, si do variojnë temperaturat...
Australi, lëshohen urdhra të evakuimit në shtetin Victoria p...
Aksident i rëndë në magjistralen Prishtinë – Ferizaj