Google ADS

Tërhiqet akreditimi i 74 programeve në universitete

18:08 | 18 Janar 2019
Arbresh.info

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në mbledhjen e saj të 61-të të mbajtur me 15 dhe 16 janar të këtij viti, shqyrtoi Aplikacionet për Akreditim dhe Ri-akreditim të Institucioneve të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2019/2020.

Pas shqyrtimit të kërkesave dhe verifikimit të stafit akademik, KSHC aprovoi për hyrje në proces të vlerësimit 104 programe të studimit, mes tyre 53 programe në Institucione Publike dhe 51 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërsa, refuzoi aprovimin e 107 programeve të studimit, ku 28 prej tyre nga Institucionet Publike, dhe 79 të tjera nga Institucionet Private të Arsimit të Lartë, të cilat kanë dështuar të përmbushin kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë shqyrtoi edhe mbulueshmërinë e programeve valide me staf akademik dhe pas verifikimit të tyre për këto programe studimi, morri vendim për tërheqjen e akreditimit për 74 programe të studimit, mes tyre 40 programe nga Institucionet Publike dhe 35 programe të Institucioneve Private të Arsimit të Lartë.

Pra, pas vendimeve të marra në këtë mbledhje, programe valide të akredituara janë gjithsej 185, nga të cilat 124 programe studimi në Institucione Publike dhe 61 programe studimi në Institucione Private.

Në këtë mbledhje po ashtu u shqyrtuan edhe një numër kërkesash të tjera të dorëzuara nga IAL-të gjatë periudhës në mes të dy mbledhjeve, u diskutua edhe lista e ekspertëve ndërkombëtar për vlerësim të jashtëm, si dhe u miratua plani i veprimit për dy muajt e ardhshëm.

Për shkak të vëllimit të madh të materialeve të shqyrtuara, KSHC vendosi që ta organizojë një mbledhje tjetër në fillim të muajit shkurt ku do të trajtojë raportin nga Inspektorati i Arsimit në MASHT rreth numrit të studentëve të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme