Paralajmërimet e Serbisë për tërheqje të njohjes së Kosovës nga disa shtete, njohës të së Drejtës Ndërkombëtare e quajnë propagandë politike.
Megjithatë, opozita konsideron se Kosovës i mungon një strategji e qartë për lobim në vendet që nuk e kanë njohur atë. Për Lëvizjen Vetëvendosje është e papranueshme që paralajmërimet për tërheqje të njohjeve nuk është diskutuar asnjëherë në Kuvend.
Inicimi i peticionit nga shteti i Çekisë për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe paralajmërimet për tërheqje edhe nga shtete të tjera, për njohësit e rrethanave ndërkombëtare nuk janë gjë tjetër veçse farsë e propagandës serbe.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, sqaron për Radio Kosovën se një praktikë e tillë nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare.
“Nuk ka tërheqje të njohjes dhe nuk ka rinjohje të shtetit, sepse njohja është akt i njëanshëm juridik ndërkombëtar i parevokueshëm që nënkupton se nëse njëherë njihet ose hiqet ajo nuk mund të kthehet mbrapa. Kjo si praktikë nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare prandaj, mendoj, që nuk ka të bëjë asgjë me realitetin përveçse janë spekulime politike”, tha ai.
Mirëpo, për subjektet opozitare, politika e jashtme e Kosovës lë shumë për të dëshiruar.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, thotë për Radio Kosovën se paralajmërimet për tërheqjen e njohjeve vijnë si rezultat i mungesës së një strategjie të Ministrisë së Jashtme, përderisa thotë se është e habitshme që këto paralajmërime nuk janë diskutuar asnjëherë në Kuvend.
“Kosova tani ka më shumë se 100 njohje, por, për ne si Vetëvendosje mbetet shqetësues fakti se ndonëse vendet që e kanë njohur Kosovën kanë nisur të rishqyrtojnë njohjen e tyre karshi Kosovës. Ky është problem shumë i madh, por që fatkeqësisht ka mbetur i padiskutueshëm edhe nga Kuvendi dhe madje është neglizhuar edhe nga Qeveria. Ajo çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës është se duhet të ketë një strategji të qartë se si e shohin në politikën e jashtme, dhe sigurisht lobimi që bëhet për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të bëhet nga njerëz që kanë integritet dhe profesionalizëm në këtë drejtim”, tha ajo.
Në anën tjetër, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, konsideron se me paralajmërimin e tërheqjes së njohjeve, Kosova hyn në një cikël të humbjes së mbështetjes ndërkombëtare.
“Kosova është futur në një cikël të humbjes së aleatëve me gjasë, humbjes së mbështetjes dhe pranimit ndërkombëtar. Ky është një cikël shumë i rrezikshëm. Prandaj, qeveria Haradinaj, ngase qeveritë e kaluara nuk arritën ta bëjnë këtë, duhet me çdo kusht të orientohet në pranimin e Kosovës në nivel evropian”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Jashtme, deri më tani Kosova është njohur nga 115 shtete. Dy shtetet e fundit që e kanë njohur Kosovën janë Madagaskari dhe Barbadosi./rtklive
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...