Google ADS

Tërheqja e barrikadave, Rama: Shfaqje që zgjati ca më shumë, fundi i njëjtë

11:43 | 30 Dhjetor 2022
L G

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me heqjen e barrikadave në veri të Kosovës. Nëpërmjet një postimi në Twitter, kreu i qeverisë ka shprehur rezerva ndaj SHBA dhe BE, të cilat në një farë mënyre i bën përgjegjëse për zgjatjen e kohës për heqjen e barrikadave.

Kryeministri e ka parë në një këndvështrim ndryshe vendosjen e barrikadave, duke stigmatizuar jo pa ironi se për herë të parë, pas më shumë se 3 shekujsh, barrikadat vlerësohen si instrumenta të një proteste paqësore.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!

Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!

Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!” shkruan Rama.

KFOR ka mirëpritur vendimin për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës. KFOR apelon heqjen sa më parë të barrikadave duke shmangur çdo lloj incidenti apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm.

“Heqja e barrikadave duhet të bëhet shpejt, në mënyrë të sigurt duke shmangur çdo lloj incidenti apo rreziku. Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. KFOR po monitoron nga afër zhvillimet. Ne mbetemi jashtëzakonisht vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të bazuar në RKSKB 1244 të vitit 1999,” thuhet në një njoftim nga KFOR.

Barrikadat e vendosura në pikën kufitare në Merdare në veri të Kosovës janë hequr, duke liruar rrugën dhe rikthyer në normalitet të plotë pikën kufitare. Heqja e barrikadave ndodhi pas deklaratës së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se ato do të hiqen brenda 48 orëve.

Për heqjen e barrikadave ka reaguar edhe Deputeti i Bungestagut gjerman, Volker Ullrich

Lidhur me situatën, përmes një statusi në Tëitter, Ullrich, shkruan se Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës.

“Ajo që nevojitet është një mesazh i qartë dhe i koordinuar nga Evropa për Serbinë. Kërkohet de-përshkallëzimi dhe stabiliteti. Një perspektivë evropiane është urgjente që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ai./ rtsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm