Tensionet Rusi-SHBA, Putini flet me tone ultimative kundër zgjerimit të NATO-s në Ukrainë

20:25 | 26 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Tensionet mes Amerikës dhe Rusisë janë të larta, teksa rusët e kanë cilësuar vijë të kuqe avancimin amerikan në Ukrainë, por vetë ukrainasit i druhen një pushtimi rus. Ka qenë vetë presidenti Putin që ka folur këtë të diel që parashtroi edhe një herë kërkesat për amerikanët që të mos përshkallëzohej konflikti.

Tensionet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore me në krye Amerikën janë tejet të larta. Putini e konsideron vijë të kuqe Ukrainën, ndërkohë që vetë Ukraina dhe Amerika flasin për një pushtim të mundshëm të fqinjit rus vitin e ardhshëm.

Presidenti rus Vladimir Putin tha këtë të diel se do të shqyrtonte një sërë opsionesh nëse Perëndimi nuk arrin t’i përmbushë garancitë e sigurisë që pengojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë. Më herët ka qenë ministria e Jashtme ruse që ka parashtruar kërkesat për Perëndimin, teksa amerikanët dhe europianët janë të shqetësuar për një grumbullim masiv trupash ushtarake ruse në kufi me Ukrainën.

Putini përsëriti edhe një herë se Moska kërkon që NATO të mos anëtarësojë Ukrainën në aleancën veri-atlantike dhe të tërhiqet nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Putini i ka kërkuar Perëndimit të lëvizë shpejt për të përmbushur kërkesat, duke paralajmëruar se Moska do të duhet të marrë “masa të përshtatshme ushtarako-teknike” nëse Perëndimi vazhdon kursin e tij “agresiv” “në pragun e shtëpisë sonë”, siç e cilësoi ai.

Amerikanët në krahun tjetër kanë thënë se siguria e aleatëve është çështje parësore strategjike, por se do të të nisin bisedime me Rusinë muajin e ardhshëm për të diskutuar shqetësimet e saj.

Sa i përket shqetësimit të Ukrainës se mund të pushtohet nga Rusia, Presidenti amerikan Joe Biden e paralajmëroi Putinin gjatë një video-telefonate në fillim të këtij muaji se Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” nëse sulmon Ukrainën./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme