Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani dhe prokurori Atdhe Dema, janë përfshirë në një debat, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin e rastit lidhur me dyshimet për keqpërdorime në fondin e 3%-shit.
Në këtë rast, Naser Osmani dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, Atdhe Gashi, po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe për shpërdorim, në rastin që njihet ndryshe si fondi i 3%-shit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, akuzohet edhe ish-kryeministri Bukoshi, por procedura ndaj tij është veçuar.Pas përfundimit të seancës, Naser Osmani, i është drejtuar prokurorit special, Atdhe Dema, me fjalët “Boll interesant me u bo lajm qito ditë”.
“Urdhno”, ka qenë përgjigja e prokurorit Dema.“Boll interesant qikjo punë. Qashtu t’kanë thonë a. Po thom mediat e këto”, ka vazhduar i akuzuari Osmani.“Kush? Mu më kan thon a? Shiko, ti je i akuzuar e unë jam prokuror.
Neve nuk na lejohet me komuniku. Atë gjuhë mos e përdor”, i është përgjigjur prokurori Dema.Më pas, prokurori Dema i është drejtuar avokatit Arianit Koci, duke i thënë “kontrolloje pak”.
Ndryshe, në këtë seancë, në kuadër të provave të propozuara nga PSRK-ja janë administruar ekspertiza financiare e ekspertit Bujar Qorrollit, raporti final i ATK-së, transaksionet bankare të llogarive të “UFORK”-ut dhe ato personale të të akuzuarve Osmani dhe Gashi, dëshminë lidhur me shpenzimet e “UFORK”-ut, regjistrat e kontributdhënësve, bonot, dëshmitë lidhur me dorëzimin e parave nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Mbrojtësit e të akuzuarve Osmani dhe Gashi, avokatët Florent Latifaj dhe Arianit Koci, paraqitën vërejtjet e tyre lidhur me ekspertizën financiare të 21 prillit 2017.Sipas avokatit Latifaj, kjo ekspertizë financiare me rastin e përpilimit të saj nuk ka përfshirë të dhënat nga kontabiliteti për vitet 2006 dhe 2007 dhe sipas tij, ajo është realizuar nga një hetues policor, i cili nuk është ekspert gjyqësor.
“Siç edhe vet deklaroi Qorrolli këtu në seancë, ai në momentin e përpilimit të kësaj ekspertize nuk ka qenë i pajisur me shkresat e nevojshme për përpilimin e një ekspertize e që në rastin konkret i kane munguar siç edhe ai deklaroi, komplet te dhënat nga kontabiliteti për dy vite, dhe atë vitin 2006 dhe 2007.
Së dyti Bujar Qorolli siç vet na njoftoi, i njëjti është hetues në Policinë e Kosovës dhe nuk është ekspert gjyqësor dhe se ekspertiza e tij ka mundur të shërbejë për prokurorinë vetëm si një bazë për fillimin apo jo të hetimeve e kurrsesi të konsiderohet ekspertizë gjyqësore në bazë te së cilës do të mund te ngritej aktakuza”, tha avokati Latifaj.
Deklarim të ngjashëm ka pasur edhe avokati Koci, i cili tha se kjo ekspertizë nuk është punuar nga një ekspert i pavarur dhe sipas tij, janë bërë shumë gabime pasi nuk janë përfshirë fare shpenzimet e vitit 2006 dhe 2007.
“Së pari ekspertiza nuk është punuar nga një ekspert i pavarur por është bërë nga vet hetuesi ne polici, mbi te gjitha është bërë më shumë gabime pa dokumentacion të plotë duke mos përfshirë fare shpenzimet e vitit 2006 dhe 2007”, tha avokati Koci.Më pas Koci tha se në momentin kur këtë ekspertizë e ka punuar një ekspert i pavarur, ka dal një rezultat i kundërt me atë që pasqyrohet në ekspertizën e ekspertit Qorrolli.
“Në momentin kur këtë ekspertizë e ka punuar eksperti i pavarur për këtë çështje ka dalë një situatë diametralisht e kundërt me atë që e ka paraqitur zyrtari policorë në ekspertizën e tij. Madje edhe vet zyrtari policorë e ka pranuar se ekspertizën e vet e ka bërë mbi bazën e dokumentacionit të pakompletuar” shtoi Koci.
Ndërsa, i akuzuari Gashi, tha se kishte dorëzuar në prokurori ditarët e arkës për vitet 2008 e deri në mars të vitit 2012, duke shtuar se prokuroria nuk i kishte kërkuar shënime për vitet 2006 dhe 2007 me arsyetimin se ajo lëndë ishte vjetërsuar.
“Po, kam vërejtje në ekspertizën e policit për shkak se në faqen e parë në aktakuzë të cilën e ka dorëzuar prokuroria është specifikacioni çka kom dorëzu une tek prokurori, do me thënë këtu shkrun që është dorëzu ditari i arkës prej vitit 2008 deri në mars 2012. Në atë kohë prokurori nuk i ka kërku shënimet për vitin 2006 dhe 2007 se mu m’ka thon se kjo osht land e vjetrune për 2006 dhe 2007 është fjala dhe nuk më hyjnë në punë”, tha i akuzuari Gashi.
Po ashtu, janë administruar edhe deklaratat e dëshmitarëve Nezir Fejza, Hafiz Gagica, Skender Cakolli, Fadil Cakaj, Maxhun Maloku, dëshmitë lidhur me pranimin e parave në emër të pagave për të akuzuarit Bukoshi dhe Gashi dhe dëshmitarëve Cakolli, Cakaj dhe Maloku, ditarët e arkave për vitet 2008, 2009, 2011, si dhe ditari i arkës për 3 muaj të vitit 2012.
Në cilësi të provës materiale është administruar edhe dëshmia për shpenzime në emër të pagave dhe shpenzimeve të tjera për vitin 2010, transaksioni i realizuar më 26 gusht 2009 lidhur me pagesën e biletës së aeroplanit të Ingrid Steiner Gashi dhe dëshmitë lidhur me tërheqjen e parave dhe dorëzimin në arkën e “UFORK”-ut, nga viti 2007-2012, të sjellura nga i akuzuari Gashi për të akuzuarin Osmani, dhe USB-ja e cila përmbante dëshmitë lidhur me shpenzimet e “UFORK”-ut për vitet 2008-2010.Lidhur me këtë USB ka reaguar avokati Koci.
“Në këtë USB nga naa e prokurorisë në mënyrë eksplicite janë kërkuar shpenzimet prej vitit 2008 e tutje, meqenëse nuk i ka kërkuar prokuroria mungojin shpenzimet e vitit 2006 dhe 2007, ne tani gjatë shqyrtimit gjyqësor kemi sjellur edhe shpenzimet e vitit 2006 dhe 2007 dhe gjendja po përputhet deri në cent”, shtoi Koci.
I akuzuari Osmani paraqiti vërejtjet e tij sa i përket dëshmive lidhur me tërheqjen e parave dhe dorëzimin në arkën e “UFORK”-ut nga viti 2007-2012, provë kjo e propozuar nga PSRK-ja.Sipas Osmanit, PSRK-ja asnjëherë nuk kishte kërkuar shënime të arkës për vitet 2006 dhe 2007, duke shtuar se këto dëshmi janë nga viti 2008-2012, e jo siç thuhet tek provat e propozuara nga prokuroria.“Vërejtja osht që prokurori s’ka ksi shënime sepse prokurori nuk ka kërkuar asnjë shënim të arkës për vitin 2006 dhe 2007, sepse i ka kërku vetëm prej datës 2008-2012.
Dmth ditari i arkës për vitin 2007 është dorëzu si ankesë po e përsëris se arsyeja pse prokurori nga Malisheva, sie pate emrin, nuk ka kërkuar shënime për vitin 2006 dhe 2007 me arsyetimin se landa për 2006 dhe 2007 është e vjetëruar, dhe për shkakun se raporti i i policisë i datës 12 dhjetor 2007 që janë thyer zyret dhe janë vjedhur”, tha i akuzuari Osmani.Ndërsa, në këtë seancë nuk ka prezantuar eksperti Rizah Blakaj, me arsyetimin se ai ishte në pushim.
Gjykatësja Medie Bytyçi me arsyetimin se dëgjimi i ekspertit ishte i nevojshëm për sqarimin e këtij rasti e ka ndërprerë seancën.Lidhur me këtë ka reaguar prokurori Dema, i cili ka kundërshtuar ekspertizën e ekspertit pasi që sipas tij, kjo ekspertizë nuk është marrë në mënyrë ligjore.
“Veç pak se nuk është propozu ekspertiza e Rizah Blakaj, edhe unë e kundërshtoj. Unë do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet e mija mi kundërshtu ato, ajo është marrë në mënyrë joligjore”, ka thënë prokurori Dema.Pasi që gjykatësja ka caktuar seancën e radhës më 8 tetor 2019, ka reaguar i akuzuari Osmani.“Po de, dy ditë mas zgjedhjeve. Tanen e bane prokuror, e kryjte”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, kjo seancë ka filluar me vonesë në mungesë të prokurorit Dema, i cili tha se kishte ngatërruar sallën dhe ishte duke pritur në sallë tjetër të gjykatës.
Seanca e radhës është caktuar më 8 tetor 2019, në orën 9:00.
Ndryshe, aktakuza ndaj Bukoshit, Osmanit dhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.
Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.
Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 28 prill 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmani për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.
Tutje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë project, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherit edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që ti deklaroj në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njejti ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.
Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...
Begaj pret ministrin Sikorskin: Vazhdim i mbështetjes për in...
Interi konfirmon lëndimin e Barellas – zbulohet se sa do të ...
Bislimi: Synojmë që të digjitalizojmë mbi 100 shërbime të re...
Trupat britanike mund të vendosen në Ukrainë për të trajnuar...
Sarës dhe Drilonit i vjen një dron, ata përqafohen