Temperaturë deri në 40 gradë, ethe dhe humbje të oreksit, gripi sezonal mbushë plotë Qendrat e Mjekësisë Familjare

10:07 | 25 Dhjetor 2022
A Z

Sezona e dimrit ka ardhur, bashkë me të edhe gripat e ndryshëm. Kjo ka bërë që Qendrat e Mjekësisë Familjare të stërmbushen me pacient që kërkojnë trajtim nga gripi, i cili ka simptomat thuajse të njëjta me virusin Covid-19.

Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë të stërmbushura me pacientë ditëve të fundit. Vetëm gjatë një ndërrimi, deri në 150 pacientë kanë kërkuar ndihmë.

Këtë e ka konfirmuar për Arbresh.info Dr. Drita Peqani-Gashi, mjeke në një Qendër të Mjekësisë Familjare (QKMF) në kryeqytet.

Më të prekurit ajo thotë se janë fëmijët, ndërsa më të mbrojtur sipas saj, janë të moshat e shtyra, pasi nuk frekuentojnë vendet publike.

Sipas doktoreshës Peqani-Gashi, 30 për qind e pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë brenda një orari, janë për shkak të infeksioneve virale.

“Ende nuk është konstatuar se a është grip i influencës apo ndonjë tjetër atë e bënë IKSHPK, mirëpo ka viroza me këtë simptomatologji dhe numri është mjaftë i madh ku më të atakuarit janë fëmijët, sidomos ata në kopshte, fëmijët shkollorë studentët etj. Më të kursyerit janë moshat më të vjetra ku në këtë kohë rrinë më tepër në shtëpi dhe nuk frekuentojnë vendet publike”, thotë ajo për arbresh.info.

Sipas saj, simptomat janë të njëjta si tek te fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

Ramadani: Nëse të prekurit nga ky grip nuk shërohen brenda katër ditëve, urgjentisht duhet të shkojnë në QKMF

Infektologu Hamdi Ramdani thotë për arbresh.info se kjo kohë çdo herë është e shoqëruar me gripa të ndryshëm dhe nuk ka nevojë për panik. Ai tregon edhe simptomat e para të këtij virusi.

Infektologu Ramadani tregon simptomat që kanë pacientët e prekur nga ky lloj gripi.

“Gripi sezonal shfaqet në sezone, kryesisht në muajin dhjetor, janar dhe shkurt. Kjo është paraqitur edhe te ne si në tërë botën në forma të ndryshme. Simptomat e këtij virusi janë me temperaturë në shumicën e rasteve deri në 39 gradë, me ethe, dhimbje koke, dhimbje  të muskujve, humbje të oreksit, këto janë simptomat e para e në disa raste më të mëdha si dhe me dhimbje të barkut, vjellje, po ashtu edhe me barkëqitje. Sëmundja manifestohet me simptomatologji respiratorë me kollitje, kollitje të thatë, rrjedhje të hundës me dhimbje të fytit dhe zgjatë deri në pesë ditë” thotë Ramdani.

Gripi sezonal, sipas tij, mund të paraqitet edhe në forma më të rënda.

“Ky grip mund të ketë edhe ndërlikime e që kryesisht janë respiratorike në formë të një bronkiti të rëndë, brankopnoumonive, të një sinoziti të një sëmundje edhe të zemrës që është miokardit. Mandej, kur sëmundja kalon më shumë se katër ditë, temperatura ulet ose nuk tërhiqen simptomat dhe i sëmuri nuk ka përmirësim, atëherë këta persona detyrimisht duhet të lajmërohen te mjekësia më e afërt familjare të bëhet analiza laboratorike, të bëhet radiografia e mushkërive që të shihet se a është paraqitë faza e ndërlikimit apo komplikimit”, shprehet infektologu Ramadani.

Po ashtu, ai tregon se ky virus ka ngjashmëri me virusin Covid-19.

“Për ta dalluar nga virusi covidi-19 duhet të shihet tabloja klinike, anameza epidemiologjike duhet të merret aty ku është shfaqur sëmundja, a ka simptoma të tjera dhe një analizë të thjeshtë, një strisho nga hunda dhe e determinon se a është Covid apo gripi sezonal. Tash dominante është gripi sezonal  më shumë sesa Covid -19,  kjo nuk do të thotë se pandemia covid-19 ka kaluar, po dendësia, intensiteti, paraqitja e gripit sezonal është pikërisht tash në dhjetor, e pandemia përfshin edhe këtë sezon si dhe muajt tjerë në formë kontinuale” ka thënë Ramadani.

Infektologu Ramadani tregon terapinë, e cila sipas tij, do të ndihmonte të kalohej kjo sëmundje më lehtë.

“Kurse terapia e sëmundjes së gripit sezonal është kryesisht suportive me çajra, sa me shumë lëngje me plotë vitamina C, pemë perime, regjim shtrati dhe ata persona qe kanë simptoma gripi nuk mund të punojnë, ose të jenë në shkollë për aq ditë sa sëmundja i ka simptomat me temperaturë lodhje molisje plogështi dhe humbje oreksi”, tregon ai.

Ramdani, apelon që qytetarët e moshave të shtyra, të ndjeshëm me sëmundje të ndryshme që të bëjnë vaksinimin kundër gripit sezona, pasi sipas tij, është mjaftë efikase ku në ato raste sëmundja do të kaloj me simptoma minimale dhe do të kalojnë më letë gripin sezonal.

Muaji më i mirë e më ideal për vaksinim kundër gripit sezonal, sipas tij, është muaji nëntor.

Ndryshe, edhe ministria e shëndetësisë ditë më parë përmes një njoftimi publik ka kërkuar nga qytetarët që t’i drejtohen mjekut për simptomat të cilat kanë të bëjnë me Covid e zgjatur.

Sipas njoftimit të MSH-së, disa persona, veçanërisht ata që kanë kaluar forma të rënda të COVID-19, mund të përballen edhe më tej me simptoma si lodhje, ethe si dhe simptoma të tjera të rrugëve të frymëmarrjes, zemrës, simptoma neurologjike, etj.

MSH bënë apel për këshilla dhe ndihmën e mjekut për t’i trajtuar simptomat e COVID-19 të zgjatur../arbresh.info/Vjollca Gajraku/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme