Google ADS

Temperaturat përvëluese| Zjarrfikësit e Kosovës të gatshëm për intervenime, por me mungesë stafi dhe mjete të vjetruara

09:58 | 23 Korrik 2023
E.H

Temperaturat e larta gjatë sezonit të verës rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve, sidomos në male e fusha.

Ani pse temperaturat në vendin tonë kanë arritur mbi 37 gradë, zjarrfikësit thonë se nuk kanë pasur nevojë  për ndonjë intervenim në ndaljen e zjarreve, raporton Arbresh.info.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Kosovës, Mal Gashi për Arbresh.info, thotë se janë në gjendje gatishmërie për çdolloj intervenimi.

“Ne jemi të gatshëm për të marrë pjesë në shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetës së njerëzve, si dhe në ruajtjen e ambientit”, thotë Gashi.

Megjithatë, ai pohon se kanë mungesë të personelit, por me stafin e vogël që kanë, arrijnë t’ i kryejnë të gjitha llojet e intervenimeve.

“Brigada e zjarrfikëseve kanë dy kushte primare që duhet të plotësohet: numri i personelit dhe blerja e automjeteve që të zëvendësohen këto të vjetrat. Personeli është i vogël, por megjithatë ne do t’i kryejmë aq sa kemi kapacitete dhe mundësi për llojet e intervenimeve”, thotë ai.

Gashi, apelon te qytetarët të mos bëjnë ndezjen në hapësirat pyjore, pasi kështu vetëm e dëmtojnë natyrën.

“Edhe qytetarët janë të vetëdijshëm që nuk ka nevojë ta bëjnë ndezjen e hapësirave pyjore, sepse e kanë një tendencë që në bazë të ndezjes së tyre bëhet pastrimi, por ky është vetëm një dëm që i bëhet natyrës dhe tokës”, shprehet ai.

Ahmeti: Në çdo qytet të Kosovës duhet të ketë njësi të zjarrfikësve

Njohësi i çështjeve emergjente Tahir Ahmeti deklaroi se edhe në Kosovë me rritjen e temperaturave fillojnë të shfaqen problemet e zjarrit.

“Ditëve të fundit kemi temperatura të lartat tek ne, nga këto temperatura mund të fillojnë të shfaqen edhe problemet me zjarret pyjore dhe fushore. Një pakujdesi e vogël, qoftë ajo edhe krejtësisht e paqëllimshme, mund të shkaktojë dëme të mëdha në pyje, në toka bujqësore dhe në ambientin në përgjithësi”, pohon Ahmeti.

Ai tha se Institucionet emergjente në Kosovë duhet të jenë të përgatitura, si me kapacitete njerëzore, ashtu edhe me fushata vetëdijësuese për qytetarët.

“Më e rëndësishmja për t’u kuptuar është rrezikimi i jetës së qytetarëve të Kosovës. Institucionet emergjente në Kosovë, duhet që të jenë të përgatitura për këto zjarre, qoftë me kapacitete njerëzore por edhe me fillimin e fushatave vetëdijësuese për qytetarët, për zjarret e mundshme dhe rrezikun që mund të shkaktojnë ato”, tha ai.

Ahmeti, thotë se zjarrfikësit kanë mungesë të kushteve për kryerjen e punës së tyre.

“Kur jemi te zjarret, në raste të tilla reaguesit e parë në këto situata janë zjarrfikësit. Në vendin tonë zjarrfikësit përballen me probleme të shumta, duke filluar nga mungesa e stafit e deri te mjetet dhe pajisjet e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, në çdo qytet të Kosovës duhet të ketë njësi të zjarrfikësve.

“Është shume e çartë se thuajse në çdo qytet të Kosovës ku kemi njësi të zjarrfikësve, ka mungesë të konsiderueshme të resurseve humane, por edhe mjetet dhe pajisjet e tyre në shumicën e rasteve janë të stërvejteruara dhe jashtë çdo niveli që duhet të ishin, sipas standardeve ndërkombëtare, kur kësaj i shtohet edhe mosha mjaft e shtyrë e zjarrfikësve, diku përafërsisht mosha mesatare 49-50 vjeç, atëherë me të vërtet që në raste te zjarreve me përmasa më të mëdha, ata mund të hasin në vështirësi për menaxhimin e tyre”, përfundoi ai.

Ndryshe, ka dy javë që vendi ynë po përballet me temperatura  që kalojnë 37 gradë celsius.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës(IHK), ka apeluar te qytetarët që të mos jenë në kontakt direkt me rrezet e diellit nga ora 09:00 deri në 17:00.

Drejtori i IHMK, Besim Ali, në një prononcim për Arbresh.info u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Kurse Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve kanë vendosë cisternë me ujë në sheshin “Skënderbeu”.

Qëllimi i vendosjes së cisternave është freskimi i qytetarëve në mënyrë që sa më lehtë t’i kalojnë këto ditë me vapë të madhe./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme