Temperaturat e larta, Kurti thirrje institucioneve publike e bizneseve private: Zbatoni rekomandimet e MSh-së

11:29 | 14 Gusht 2024
E.G

Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vend, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar sërish kufizim të orarit të punës në vend për kategori të caktuara, nga 14 deri më 17 gusht.

Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Institucioneve Publike e bizneseve private që t’i zbatojmë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë pas temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë, shkruan Arbresh.info.

Ai tha se të gjitha rekomandimet e MSh-së janë në shërbim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve.

“Gjatë kësaj periudhe të nxehtësisë ekstreme, rekomandohet që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00. Të aplikohet orari fleksibël i punës, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi. Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë 11:00 — 16:00, ose të punojnë nga shtëpia. Në oraret 11:00 — 16:00 ndalohet puna për qytetarët e prekur me sëmundje kronike, apo të punojnë nga shtëpia. Të ndalohen punimet në sektorin e ndërtimtarisë, që janë të ekspozuara në diell gjatë orarit 11:00-16:00. Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit dhe broshurave e materialeve të tjera informuese për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia. Të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme. Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe”, ishin pikat të cilat i ka përmendur Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme