Google ADS

Televizioni francez, reportazh për Kosovën: E vetmja shpresë në këtë peizazh të zymtë është brezi i ri (VIDEO)

17:10 | 12 Maj 2017
Arbresh.info

Televizioni francez “France24” ka bërë një përshkrim të gjendjes në Kosovë, përmes një reportazhi, duke e përshkruar atë si vend të zhytur në krizë politike për më shumë se një vit.

“Për më shumë se një vit, Kosova ka qenë e zhytur në krizën politike, e cila arriti kulmin këtë javë kur qeveria u rrëzua dhe presidenti shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 11 qershor”.

Sipas këtij televizioni, përcjell Telegrafi, më 17 shkurt 2008, Kosova deklaroi në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia, një veprim i denoncuar menjëherë nga Beogradi dhe Moska. Sot, vendi i vogël ballkanik njihet vetëm nga 114 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së. Mbetet jofunksional dhe i ndarë.

“Jugu, i cili shikon drejt Shqipërisë, është kryesisht mysliman, përdor alfabetin latin dhe paguan në euro. Në veri, flamuri serb fluturon nga ndërtesat, përdoret shkrimi cirilik, shkëmbehen dinarët serbë dhe popullsia është kryesisht ortodokse”.

Po sipas “France24” tensionet midis shumicës shqiptare dhe komunitetit serb (që përbën vetëm 6% të popullsisë), një produkt historik i nxitur nga rivalitetet rajonale, po e “gërryejnë” në vendin më të ri në Evropë.

Kosova mbetet nën vëzhgim ndërkombëtar: këtu janë vendosur rreth 4,300 trupa të NATO-s dhe një mision europian, EULEX, i cili mbikëqyr policinë, drejtësinë dhe administratat lokale.

“E vetmja dritëz e shpresës në këtë peizazh të zymtë është brezi i ri, i cili nuk ka jetuar gjatë luftës dhe mund të thyejë rrethin vicioz të urrejtjes ndërmjet komuniteteve. Një e treta e popullsisë është nën moshën 15 vjeçare. Me qëllim që të tretet historia e saj dhe në fund të shikojmë të ardhmen, Kosova do të duhet të mbështetet tek të rinjtë e saj dhe energjia e tyre”, thuhet ndër tjerash në reportazhin e realizuar nga televizioni francez.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme