Telekomi i Kosovës, dikur kompania më fitimprurëse në vend, është futur në krizë të thellë financiare dhe ndodhet në prag të falimentimit.
Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala.
Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi. Në këtë kompani janë të punësuar rreth 2,500 punonjës dhe paga mesatare llogaritet të jetë mbi 700 euro.
Telekomi i Kosovës ishte një kontribues i fuqishëm i buxhetit të vendit. Për çdo vit, kjo kompnai i ka sjellë arkës së shtetit miliona euro.
Nga viti 2008 deri në vitin 2015, Telekomi i Kosovës i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Dividenda, sipas ligjit, ndahet në rast se kompania përkatëse shënon rezultate të mira financiare.
Këto mjete, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015, kur edhe ka filluar kriza finaciare në Telekom.
Përkundër këtyre përfitimeve që gjeneronte Telekomi i Kosovës, kjo kompani ka filluar të përballet me një situatë të rënduar financiare si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë e nepotizmit.
Problemet e Telekomit me Z-Mobile
Marrëveshja e vitit 2009 me “Dardafon.net LLC” është konsideruar si kontratë e dëmshme, e cila, përveç tjerash, thuhet se e ka futur në krizë financiare Telekomin e Kosovës. Kjo kompani është e njohur me emrin tregtar “Z-Mobile”.
Kjo kontratë, Z-Mobile-it i mundësonte të përdorte infrastrukturën e Telekomit, për të nisur biznesin.
Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim për shkëputjen e saj.
Pas dhjetë vjetëve të funksionimit të Z-Mobile është mbledhur një komision hetimor parlamentar, në lidhje me gjendjen në Postë-Telekomin e Kosovës dhe në Vala.
Në një raport të këtij komisioni, të datës 18.04.2019, siguruar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se kontrata me Z-Mobile është joligjore dhe shumë e dëmshme për Telekomin e Kosovës.
Aty thuhet se “është rast unik në botë që një operator i rrjetit mobil, t’i krijojë rivalitet konkurrence vetvetes, duke krijuar një operator virtual të rrjetit mobil, dhe të bëjë ndarje të të hyrave 73 për qind me 27 për qind, në favor të kompanisë private”.
Kjo kontratë, thuhet në raport, i ka sjellë Telekomit humbje reale, të deklaruar në vlerë prej 107 milionë eurosh. Ndërkaq, 140 milionë euro është vlera e përllogaritur e të hyrave të humbura, për shkak të numrave të marrë nga Dardafon.net.
Pavarësisht fitimeve që Z-Mobile thuhet t’i ketë pasur nga kjo kontratë, kompania ka pretenduar se Telekomi i Kosovës nuk e ka përmbushur kontratën në tërësi dhe e ka paditur atë.
Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile ka kërkuar numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.
Ndërkohë, për dëmin e shkaktuar ndaj kompanisë Z-Mobile, Telekomi i Kosovës obligohej t’i lëshonte numeracion shtesë Z-Mobile, t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G dhe të paguante një gjobë prej mbi 25 milionë eurosh në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.
Telekomi i Kosovës, i pakënaqur me vendimin e Arbitrazhit, në bazë të procedurave, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Lartë Mbretërore me seli në Londër, e cila, në maj të vitit 2017, e ka vërtetuar vendimin e Arbitrazhit dhe ka vendosur në favor të Z-Mobile.
Pas këtij vendimi kanë filluar procedurat e përmbarimit, që nënkuptonin mbylljen e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës deri në inkasimin e mjeteve apo borxhit prej mbi 25 milionë eurosh.
Xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës u bllokuan më 15 korrik të këtij viti, duke rrezikuar kështu funksionimin e tij.
Aktualisht, Telekomi i Kosovës është pa mjete financiare në xhirollogarinë e tij. Një përmbarues privat tashmë ka tërhequr 3 milionë euro.
Në mungesë të mjeteve rrezikohet të ndërpriten të gjitha shërbimet e telefonisë mobile dhe fikse dhe mbi 2,500 punëtorë të mbesin pa paga.
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që të mos lejohet falimentimi i kompanisë, ku Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit.
Ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e problemit në këtë kompani, të enjten e kanë kërkuar përmes një proteste qindra punëtorë të Telekomit të Kosovës.
Privatizimi i Telekomit, dy herë i dështuar
Telekomi i Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.
Në tetor të vitit 2011, ky proces ishte mbyllur i pasuksesshëm, pasi nga gara ishte tërhequr Telekomi kroat, meqë, siç thuhej, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshoheshin për korrupsion.
Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos-Capital’, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.
Por, më 31 dhjetor të vitit 2013, privatizimi është shpallur i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë qenë kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të këtij aseti publik.
Për këto dy procese të privatizimit, të filluara 10 vjet më parë, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë.
Në janar të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, me në krye kryeministrin Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që të privatizohet kjo kompani.
Ndërsa, në gusht të vitit 2019 kanë filluar takimet me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Sipas projeksioneve të Qeverisë së atëhershme, privatizimi përfshin pjesën vendimmarrëse të Telekomit, me rreth 51 për qind, duke qëndruar aksionar për pjesën tjetër.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, Valdrin Lluka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rruga e vetme për shpëtimin e Telekomit nga kriza financiare në të cilën është futur, është privatizimi.
Ai ka deklaruar në atë kohë se Telekomi nuk mund të vazhdojë të operojë si i tillë, pasi që ka humbje të mëdha vjetore dhe atë deri në 15 milionë euro në vit. /rel
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...