Telekomi mund të lëvdohet për këto veprime

09:00 | 30 Shtator 2019
Arbresh.info

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka ndihmuar edhe njerëzit në nevojë.

Që nga 2008-ta e deri 2019-ën, ndërmarrja publike ka ndarë para edhe për qytetarët me probleme shëndetësore e të cilat janë trajtuar për mjekim brenda ose jashtë vendit.

Shuma e plotë që figuron në listën e donacioneve të siguruar nga arbresh.info është mbi 450 mijë euro ose saktësisht 457 mijë e 947 euro ndërsa për person janë ndarë prej 350 euro deri në 30 mijë euro.

Numri i rasteve për të cilat janë ndarë donacione është afër 100.

Edhe ndërtimi i shtëpive për personat në nevojë hynë në listën e donacioneve të ndërmarrjes publike që dikur operonte si më fitimprurësja në vend. Për ndërtim dhe meremetim të tyre janë ndarë plotë 155 mijë euro.

Ndërsa për familjet në nevojë në viti 2008 dhe 2015 janë ndarë 15 mijë edhe 2 mijë euro.

E shumica e donacionet të ndara qoftë për shërim jashtë vendit apo për ndërtim të shtëpive e ndihmë të familjeve me gjendje të rëndë ekonomike janë ndarë gjatë periudhës 2009-2011 në kohën kur ndërmarrja udhëhiqej nga Shyqyri Haxha.

Humanitare u tregua edhe me një ndërmarrje publike. Për ‘Trepçën’ ndau plotë 80 mijë euro ndërsa në përshkrim thuhet se arsyeja e këtij donacioni është kalimi i gjendjes së vështirë.

arbresh.info për javë të tëra ka raportuar edhe për mijëra euro të ndara për këngëtarë, aktorë, sallone të bukurisë e spektakle të bukurisë.

Udhëheqësit e ndërmarrjes ishin treguar dorëlire edhe me shpenzime të tjera luksoze. Bileta aeroplani, akomodime nëpër hotele, pagesa për taksi, vetura me qira, blerja të biletave për ndeshje sportive, blerje të veshmbathjeve e deri të pagesa për gjoba të komunikacionit ishin vetëm disa nga shpenzimet e udhëheqësve të ndërmarrjes që dikur operonte si më fitimprurësja në vend./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme