Deputetët e Kuvendit të Kosovës i marrin nga 30 deri në 250 euro mbushje telefonike në muaj. Shuma e mbushjeve që ju takojnë deputetëve dhe krerëve të Kuvendit nuk ka ndryshuar prej vitit 2005 dhe 2008, përkundër që gjatë 10 vjetëve kemi pas rënie drastike të tarifave të komunikimit përmes telefonit.
Në vitin 2005 dhe 2008, çmimi për minutë ka qenë deri në 32 euro centë. Por, tashmë çmimi ka rënë në 9 euro centë, përkatësisht 4.5 euro centë.
Madje, operatorët e telefonisë mobile ofrojnë edhe pako me çmime më të lira. Shembull, Telefonia Vala ka një ofertë prej 9.99 euro në muaj për 700 minuta kombëtar, 700 SMS kombëtar dhe 2 GB internet. Ndërsa, Operatori IPKO ka një ofertë pre 12.99 euro, e cila ofron komunikim pa limit më IPKO, 700 minuta komunikim me operatorët terë, si dhe 10GB internet.
Por, këto pako nuk janë edhe për komunikimet që bëhen me numrat jashtë Kosovës, apo kur personat janë në udhëtime jashtë vendit. Kosto e tyre është shumë më e lartë.
Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë shpalos shpenzimet për mbushje të deputetëve, kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.
Rreth 50 mijë euro mbushje shkojnë vetëm për mbushje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe pjesës tjetër të administratës së Kuvendit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës që nuk mbanë asnjë pozitë tjetër brenda Kuvendit të Kosovës, merr 30 euro mbushje në muaj përmes kartës gërvishtëse.
Ndërsa shifra më të larta marrin deputetët e tjerë që mbajnë pozita nëpër komisione apo në kryesi të Kuvendit.
Shefat e grupeve parlamentare marrin nga 100 euro mbushje gërvishtëse nga Kuvendi i Kosovës.
Në Kuvendin e Kosovës janë 120 deputetë dhe momentalisht ekzistojnë 8 grupe parlamentare.
Avdullah Hoti (LDK), Memli Krasniqi (PDK), Glauk Konjufca (LVV), Ahmet Isufi (AAK), Bilall Sherifi (NISMA), Dardan Sejdiu (PSD), Albert Kinolli (6+) dhe Saša Milosavljević (SLS).
Pra, buxheti i Kuvendit/shtetit pakohet për 800 euro në muaj vetëm për mbushje telefoni për 8 persona apo 9 mijë e 600 euro për vit.
Gazeta Jeta në Kosovë i ka kontaktuar të gjithë shefat e grupeve parlamentare për t’i pyetur se nëse i marrin 100 euro mbushje që i takojnë. Përgjigje nuk kanë kthyer të gjithë shefat e grupeve parlamentarët, të cilët janë pyetur edhe nëse po arrijnë t’i shpenzojnë të gjitha.
100 euro mbushje në muaj
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi e ka konfirmuar se i merr 100 euro mbushje.
Ai thotë se kryesisht i shpenzon gjithë mbushje që e merr nga Kuvendi. Madje thotë se ka raste kur shpenzon më shumë se 100 euro në muaj.
“Në rastet kur udhëtoj jashtë vendit, shpenzoj më shumë, por ato i mbuloj me mjetet e mia”, tha për Gazetën JNK, deputeti Krasniqi.
Se merr 100 euro mbushje dhe i shpenzon të gjitha për gazetën e ka konfirmuar edhe shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi.
Ndërsa, Dardan Sejdiu i PSD-së nuk është përgjigjur nëse i shpenzon 100 euro brenda muajit, por vetëm e ka konfirmuar se merr 100 euro në muaj si shef i grupit parlamentar të PSD-së.
Ndërsa të tjerët, ndonëse kanë marrë pyetjet përmes e-mailit zyrtar nuk kanë kthyer përgjigje edhe pas më shumë se 1 jave pritje.
Mbushje gërvitshëse prej 100 euro marrin edhe kryetari i Komisionin e Buxhetit dhe Financave, Lumir Abdixhiku (LDK), dhe kryetari i komisionit për Komunitete dhe Kthim, Igor Simiq (Listës Serbe). Gazeta Jeta në Kosovë u ka shkruar të dy kryetarëve të komisioneve të përhershme, por as Abdixhiku e as Simiqi nuk kanë kthyer përgjigje.
Brenda vitit të dy deputetët u takojnë mbushje në vlerë prej 2 mijë e 400 euro apo 1 mijë e 200 euro për person. Asnjëri nuk ka treguar për gazetën nëse arrijnë që t’i shpenzojnë të gjithë mbushjen që ju takon.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë se kryetarët e 12 komisioneve tjera parlamentare u takojnë nga 60 euro mbushje gërvishtëse në muaj.
Kryetarët e këtyre komisioneve janë: Albulena Haxhiu, Blerta Deliu Kodra, Vjosa Osmani Sadriu, Ismajl Kurteshi, Sala Berisha Shala, Muharrem Nitaj, Besa Baftiu, Nait Hasani, Haxhi Shala, Duda Balje, Driton Selmanaj dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së që udhëhiqet nga nënkryetarja Ganimete Musliu.
12 kryetarët e këtyre komisioneve parlamentare brenda një muaji në total u takojnë 720 euro mbushje telefonike, ndërsa për 1 vit marrin 8 mijë e 640 euro në vit.
Më së shumti shpenzime bëjnë krerët e Kuvendit. Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që janë 6 së bashku me Kryetarin, Kuvendi ua jep nga një numër telefonit roaming dhe i’u mundësohet ‘Post-paid’ deri në 250 euro në muaj.
Nëse anëtarët e kryesisë së Kuvendit shpenzojnë mbi 250 euro në muaj, sekretari i Kuvendit thotë se do t’i ndalen në pagën e muajit të ardhshëm.
Në përgjigjen për Gazetën Jeta në Kosovë, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka bërë të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk është pajisur me numër telefoni nga Kuvendi dhe nuk merr ndonjë pagesë për mbushje telefonike. Ndërsa, të gjithë anëtarët e tjerë i shfrytëzojnë numrat e Kuvendit.
Gazeta Jeta në Kosovë u ka shkruar të gjithë nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, mirëpo asnjë nga ta nuk ka kthyer përgjigje përmes e-mailit.
Ata janë pyetur se sa mbushje përafërsisht shpenzojnë brenda muajit.
Nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës janë: Kujtim Shala (LDK), Xhavit Haliti (PDK), Aida Dërgut (PSD), Slavko Simiq (SLS) dhe Mufera Srbica – Sinik (6+).
Përkundër që ju takojnë 250 euro në muaj, ata nuk arrijnë t’i shpenzojnë të gjitha.
“Post-paid, numrat që kanë në shfrytëzim Kryesia dhe sekretari i Kuvendit. Vlera më e lartë mujore e faturës brenda një viti është 683 euro”, ka thënë Krasniqi.
Deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës, pra që nuk kanë pozita nëpër komisione dhe kryesi, marrin 30 euro gërvishtëse në muaj. Nëse i heqim deputetët që kanë pozita dhe marrin të ardhura në telefon në bazë të pozitave të tyre, mbesin 92 deputetë që marrin nga 30 euro.
Mirëpo prej shtatorit, janë vetëm 91 deputetë që marrin nga 30 euro, për shkak të dorëheqjes së deputetit Nezir Çoçaj. Pozita e lënë vakante pas shkuarjes së Cocajt nuk mund të plotësohet pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional për shkak të mungesës së kuorumit.
Për 1 muaj, këta 92 deputetë shpenzojnë 2 mijë e 760 euro. Ndërsa brenda vitit shifra e tyre kap vlerën e 33 mijë e 120 euro vetëm për mbushje të telefonit.
Përveç deputetëve, mbushje në telefona përfitojnë edhe këshilltarët politik e zyrtarë të administratës së Kuvendit.
20% zbritje
Në total, sipas llogaritjeve tona për 114 deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa përfshirë këtu anëtarët e Kryesisë së Kuvendit (që janë me Post-Paid), administratën dhe këshilltarët politik, na del që Kuvendi shpenzon mbushje në vlerë prej 4 mijë e 480 euro. Kur këtë e llogarisim për 1 vit, i bie që vetëm për deputetë shpenzohen 53 mijë e 760 euro mbushje të telefonit.
Por, në kontratën që Kuvendi i Kosovës e ka me Telekomin e Kosovës, aplikohet një 20% zbritje nga totali i vlerës.
“Në Kontratën që ka Kuvendi i Kosovës me PTK-në, në pagesën mujore për mbushje telefonike dhe shpenzime të telefonave Post-PAID, aplikohet zbritja 20 % e totalit të vlerës”, thuhet në përgjigjen e sekretarit Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.
Nëse i heqim 20% nga totali i mbushjeve prej 53 mijë euro, i bie se Kuvendi ka arritur t’i kursej 10 mijë e 752 euro në vit. E kjo nënkupton se Kuvendi ka dhënë nga buxheti i saj në total 43 mijë e 8 euro në vit vetëm për mbushje të deputetëve.
Përveç deputetëve, mbushje të telefonit marrin edhe anëtarët e administratës dhe stafi politik që është i punësuar brenda këtij institucioni.
Sekretaria e Kuvendit të Kosovës ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë, shifrat e mbushjeve që marrin zyrtarët e tjerë.
Shefi i stafit të Kabinetit të kryetarit i takon numër post-paid në vlerë të lejuar për të shpenzuar deri në 150 euro. Këshilltarët e Kryetarit të Kuvendit ju takojnë kartela mbushëse në vlerën prej 70 euro.
Sekretari ka thënë se menaxherja e Kabinetit të Kryetarit merr një kartelë mbushëse në vlerën prej 40 euro. Sekretarit të Përgjithshëm, Ismet Krasniqi i takon një numër post-paid me shpenzime të lejuara deri në 150 euro.
“Drejtori i përgjithshëm i Administratës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Legjislacionit: kartela mbushëse ne vlerën: 70 €, Drejtorët e Drejtorive: kartela mbushëse ne vlerën: 40 €, Koordinatorët e Komisioneve Parlamentare, dhe Koordinatorët e Njësive: kartela mbushëse ne vlerën: 20 €, Zyrtarët e tjerë të Administratës: kartela mbushëse ne vlerën: 5 €”, thuhet në përgjigjen e sekretarisë së Kuvendit dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë.
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia
Shefi i EULEX-it: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, autorët d...