Qysh nga marsi i vitit të kaluar, atëherë edhe kur filloi situata me pandeminë, organizimet kulturore-artistike morën një goditje të madhe. Në përgjithësi institucionet kulturore në Kosovë, e sidomos ato që aplikojnë artet skenike, kishin një varg problemesh e sfidash.
Shumë prej ngjarjeve u pezulluan, ndërsa kishte edhe artistë të shumtë që përdorën alternativa tjera për të qenë sa më afër publikut.
Por, pavarësisht situatës, kultura u ringjall gradualisht duke zhvilluar aktivitetin e saj me një numër më të vogël audience se zakonisht.
E njëjta vlejti edhe për teatrot në vendin tonë, që pavarësisht kushteve jo të favorshme, kishin dhe vazhdojnë të kenë një sërë paraqitjesh skenike.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Naser Shatrolli, në një komunikim për Arbresh.info tregoi për sfidat në të cilat kaloi Teatri Kombëtar gjatë kësaj periudhe.
“Situata në Teatër ka ndryshuar me rastin e shfaqjes së virusit i cili e ka përfshirë gjithë universin tashmë. Pra, ishte momentum me të papritura, kishte dhe situata të frikshme, fakti që nuk dinim si të vepronim në një rrethanë që nuk kishte shpjegime të mjaftueshme. Ishte po kaq enigmatike, një mister që akoma po vazhdon, me të cilin Teatri Kombëtar po vazhdon të sfidohet. Mirëpo, përgjatë rrjedhës u mësuam me të, pastaj u përshtatëm me masat dhe e gjetëm një tip pajtese artificiale, ndërsa, programin teatror nuk e ndalëm. Kjo mund të cilësohet sfidë dhe sukses bashkarisht“, tha Shatrolli.
Ai flet edhe në lidhje me vështirësitë që kaluan aktorët për realizimin e shfaqjeve.
“Kemi shumë raste të artistëve që ishin të përfshirë me virusin, kuptohet jo me dashjen e tyre. Nuk e di nëse u infektuan në proces të provave apo forma tjera, ndërkohë jemi detyruar që të ndërpresim provat ndonjëherë, pastaj edhe reprizat e shfaqjeve. Fatmirësisht, artistët e teatrit e kanë kapërcyer të gjithë dhe vazhdojnë punën në teatër”, tregon Shatrolli.
Edhe Agron Gërguri, drejtor i teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë për arbresh.info përmendi disa nga sfidat me të cilat u përball ky teatër gjatë pandemisë.
“Sfida e parë dhe esenciale është se është reduktuar kontakti me spektatorin potencial. Teatri është art i gjallë i komunikimit direkt, andaj ndalesa një kohë ka qenë totale dhe kjo na ka pamundësuar funksionimin normal. Janë bërë disa përpjekje që të mbajmë në interesim publikun potencial përmes video-shfaqjeve, por teatrit nëse i mungon drejtpërdrejtshmëria, ai nuk është i vërtetë, del nga natyra e tij”, tha Gërguri.
Tutje ai vazhdon se ndonëse ka qenë e vështirë edhe për aktorët dhe se provat janë mbajtur më ndryshe se zakonisht e me kujdes më të shtuar, kanë realizuar një sërë shfaqjesh.
“Disa nga shfaqjet që kemi realizuar gjatë kësaj kohe pandemie janë: “Enigma kush e solli Doruntinën”, komedia: ‘Jo simfonia e 5-të por e 9-ta’ etj. Tani jemi në proces të realizimit të repertorit për sezonën 2021-2022. Teatri jonë aktualisht ka 12 të punësuar, por që shpresojmë se në një të ardhme të afërt do të arrijmë numrin 22 të punësuar sa është lejuar t’i kenë teatrot e qyteteve të Kosovës” shtoi Gërguri për portalin arbresh.info.
Pra, pavarësisht situatës me pandemi dhe vështirësive të mëdha në të gjitha sferat, artistët gjetën hapësirën e nevojshme për të prezantuar punën e tyre para publikut artdashës. /arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...