Google ADS

Të shtëna me armë zjarri në Zllatarë të Prishtinës, plagoset një person – një tjetër merr lëndime trupore

20:43 | 26 Qershor 2023
E.H

Dy persona kanë mbetur të lënduar pas një përleshje fizike në lagjen Zllatarë të Prishtinës.

Njëri nga ta, është vet plagosur me armë zjarri kurse tjetri ka pësuar lëndime trupore.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Sot rreth orës 18:00, kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Zllatarë, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar dy persona. Njëri nga personat dyshohet se është lënduar gjatë përleshjes fizike, ndërsa tjetri dyshohet se me armë zjarri është vetëplagosur”, ka thënë Borovci.

Të dy personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor.

Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme