Të premten shqyrtohet projektbuxheti në lexim të dytë dhe Presidentja Osmani do t’ i adresohet Kuvendit

17:30 | 15 Dhjetor 2021
L G

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që të premten të shqyrtohe projektbuxheti për vitin 2022 në lexim të dytë.

Kështu bëri të ditur ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo tha se kjo është bërë me kërkesë të Grupit Parlamentarë të VV-së, shkruan arbresh.info.

“Sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën është vendosur që sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me nënshkrimin e 47 deputetëve seanca për shqyrtim në lexim të dytë e Buxhetit të Kosovës të mbahet të premten me datë 17 nëntor në ora 11:00”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka treguar arsyet pse është vendosur të diskutohet të premten ky projektligj.

“Kjo kërkesë e deputetëve të grupit tonë parlamentarë ka ardhur si rrjedhojë e dy proceseve, e para që buxheti është trajtuar në të gjitha komisionet funksionale, gjegjësisht ka marrë dritën e gjelbër dhe është gati për seancë, si dhe dëshirojmë që projektligjin më të rëndësishëm të vitit t’a kalojmë në periudhë kohore kur mund të diskutohet një ditë e tërë vetëm për projekt buxhetin”, tha Kurasi-Lila.

Po ashtu sipas saj, të premten do të bëhet edhe adresimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani para deputaetëve të Kuvendit të Kosovs.

“Në kryesi, sot kryetari i Kuvendit ka prezantuar edhe kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për t’iu adresuar Kuvendit në fundit dhe ky adresim do të ndodh të premten më fillim në ora 10:00 në një seancë të veçantë”’, u shpreh ajo. /arbresh.info/

Të ngjashme