Google ADS

Të premten fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë, ndaj Thaçit e të tjerëve

18:32 | 11 Maj 2023
K.B

Intervistimi i dëshmitarit të katërt nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është zhvilluar tërësisht në seancë private, për dy ditë me radhë.

Pas pyetjeve të prokurorisë, në mbyllje të saj seanca është kthyer publike dhe kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka bërë të ditur se nesër do të fillojnë kundërpyetjet.

Gjithashtu, Smith ka deklaruar trupi gjykues mund të bëjë pyetje në çdo moment gjatë procesit gjyqësor.

“Pyetjet nga trupi gjykues munda të bëhen në çdo moment, nuk janë kundërpyetje, dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, synojnë që të zbulojnë të vërtetën dhe ky është mandati i tyre. Urdhri për zhvillimin e gjykimit parasheh që pyetjet nga trupi gjykues munda të bëhen pasi mbarojnë palët me pyetjet e veta në mënyrë që t’i kemi kuptuar njëherë çfarë kanë pyetur palët dhe pyetjet e turpit gjykues munda të bëhen të panevojshme si rezultat i kundërpyetjeve nga mbrojtja. Urdhri për zhvillimin e gjykimit parashikon garancitë e nevojshme për të garantuar drejtësinë e palëve për të bërë pyetje sqaruese që dalin nga informacionet e reja. Dhe për rrjedhojë kërkesa refuzohet. Fillojmë me kundër pyetjet nesër në orën 9”, ka thënë Smith.

Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme