“Të mundësohet tërheqja e mjeteve të Trustit deri 30% për nevoja shëndetësore dhe sociale”

09:58 | 7 Shtator 2024
K.B

Një prej emrave më të njohur të gazetarisë, Zijadin Gashi e ka rikthyer si temë çështjen e Trustit dhe pamundësisë së qytetarëve për të tërhequr paratë e tyre qoftë edhe për nevojën në rastet më të rënda shëndetësore.

Ai ka treguar se përballja e tij me sëmundjen e kancerit dhe mos mundësia për të marrë paratë e tij në Trust ishte një përvojë aspak e mirë.

Gashi përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që të ndryshohet ligji për Trustin dhe t’i mundësohet qytetarëve për raste të tilla nxjerrja e parave nga kursimet e tyre pensionale, raporton Arbresh.info.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu thotë se ligji për Trustin duhet të ndryshohet.

Haxhiu thekson se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka gabuar me mos votim të propozimit për tërheqjen e 30 për qind të Trustit.

“Duhet të mundësohet tërheqja e mjeteve të Trustit deri 30% për nevoja shëndetësore dhe sociale. Me fillim të sesionit vjeshtore do të diskutojmë rikthimi e Projektligjit për Trustin për Tërheqje te 30% të mjeteve nga Trusti”, pohon deputeti për Arbresh.info

Deputeti i PDK-së beson që pas ndryshimeve te mazhoranca dhe koalicioneve parazgjedhore edhe mund të sigurohen votat për Trustin.

Abazi: Duhet të autorizohet edhe Bordi i Trustit që të vendos për secilin rast

Edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Milazim Abazi mendon se Ligji për Trustin duhet të ndryshohet.

Sipas, Abazit duhet të autorizohet edhe Bordi i Trustit që të vendos për secilin rast, e jo kjo të bëhet dukuri e zakonshme.

Ai thekson se lufta ndaj sëmundjes së kancerit, është luftë për jetë a vdekje dhe në raste të tilla duhet ketë mirëkuptim.

“Marrë parasysh se lufta ndaj sëmundjes së kancerit është luftë për jetë a vdekje, mendoj se në raste të tilla duhet të kishte mirëkuptim dhe kursimtareve që janë në pension tu mundësohet që të tërheqin kursimet e tyre nëpërmes pagesave direkte në spitalet që marrin përsipër shërimin”, shprehet Abazi për Arbresh.info

Ndryshe, gazetari i njohur Zijadin Gashi ka bërë thirrje publike Qeverisë së Kosovës, deputetëve, partive parlamentare në pushtet dhe opozitë që ta korrigjojnë ligjin për Trustin Pensional.

Gashi thotë se paratë e Trustit janë kontribute të qytetarëve por të cilat ata nuk mund t’i shfrytëzojnë edhe në rastin kur përballen me nevojën për jetë a vdekje.

“Beteja me kancerin më vuri para një sprove të madhe financiare, janë dhjetëra mijëra euro të domosdoshme për të përballuar shpenzimet fillestare për të cilat institucionet e shtetit nuk kanë kontribuuar me asnjë cent. Ndërkohë që paratë e mija të kursimeve në Trust mund t’i mbulonin këto shpenzime, mua nuk më është lejuar qasja në mjetet e mia, andaj deputetët duhet të mundësojnë decentralizimin e Trustit nëse jo për tjetër të paktën nga aspekti human”, ka shkruar Gashi, përcjell Arbresh.info

Ai konsideron se ligjet e mira duhet të jenë në shërbim të shëndetit dhe jetës së qytetarëve dhe jo pengesë.

Çfarë shkroi Gashi në statusin e tij ku kërkon që të ndryshohet ky ligj:

Thirrje publike Kryeministrit, Kabinetit Qeveritar, deputetëve, partive parlamentare në pushtet dhe opozitë: Korrigjojeni ligjin diskriminues të miratuar nga Kuvendi i Republikës

Ligji për Trustin Pensional buron nga ish administrata e UNMIK-ut që nënkuptonte se do të duhej të ishte një ligj kalimtar për tu hartuar dhe fuqizuar në një ligj të përhershëm nga Kuvendi i Republikës. Por, mangësitë e ligjit të UNMIK-ut u barten edhe në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Këtë thirrje publike e bëj me shkas, nga një rast me të cilin po përballem vet. Paratë e Trustit janë kontribute të qytetarëve por të cilat ata nuk mund t’i shfrytëzojnë edhe në rastin kur përballen me nevojën për jetë a vdekje.

Beteja me kancerin më vuri para një sprove të madhe financiare, janë dhjetëra mijëra euro të domosdoshme për të përballuar shpenzimet fillestare për të cilat institucionet e shtetit nuk kanë kontribuuar me asnjë cent. Ndërkohë që paratë e mija të kursimeve në Trust mund t’i mbulonin këto shpenzime, mua nuk më është lejuar qasja në mjetet e mia, andaj deputetët duhet të mundësojnë decentralizimin e Trustit nëse jo për tjetër të paktën nga aspekti human. Konsideroj se ligjet e mira duhet të jenë në shërbim të shëndetit dhe jetës së qytetarëve dhe jo pengesë.

Më 19 janar të vitit 2023, Projektligji për tërheqjen e 30 për qind të Trustit nuk kishte kaluar në Kuvend.

Ne sallën e kuvendit ishin gjithsej 97 deputetë, ku prej tyre 42 ishin për, ndërsa 55 kundër.

Në muajin maj të vitit 2022, një numër i madh qytetarësh kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar miratimin e ndryshimeve që lejojnë tërheqjen e 30% të Trustit.

Ndërsa në po të njëjtin vit, në muajin korrik ishte organizuar një peticion për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit, ku kishin nënshkruar 21 mijë e 398 qytetarë.

Ndryshe ky peticion ishte përkrahur edhe nga opozita./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Të ngjashme