Të mirat dhe të këqijat që i ndodhën Kosovës gjatë 2016-es

09:15 | 31 Dhjetor 2016
M. A.

Edhe viti 2016 nuk ishte vit i duhur në të gjitha fushat për Kosovën. Nuk kaloi pa parregullsi dhe pa ndodhur shumë procese e ngjarje tejet të rëndësishme që sollën edhe kthesa të mëdha për vendin. Po ashtu këto ngjarje ngjallën reagime të mëdha duke filluar nga qytetarët, shoqëria civile, opozita e në disa raste pati reagime edhe tek pozita.

Portali Arbresh.info ka mbledhur në pika të shkurta disa nga ngjarjet më të rëndësishme që karakterizuan vendin në vitin 2016. 

Zgjedhja e Hashim Thaçit President

Me flakë e tym, 26 shkurti ishte dita që Hashim Thaçi realizoi ëndrrën e tij. Kuvendi i Kosovës zgjodhi presidentin e pestë të Republikës së Kosovës. Pas dy rundeve të dështuara me nga 50 dhe 64 vota, Thaçi arriti në rundin e tretë me 71 vota të deputetëve të marrë postin e të parit të vendit.

Kujtojmë se atë ditë në Kuvend ishte një situatë e tensionuar ku thuhet se pati edhe presion tek deputetët që të votojnë pro zgjedhjes së Thaçit president. Atë ditë u panë shumë lëvizje brenda Kuvendit, si ato të kryeministrit Mustafa tek deputetët e LDK-së. Këto presione u shtuan pasi që në dy rundet e para Thaçi nuk mori votat e mjaftueshme.

Ndërsa, jashtë objektit të Kuvendit me flakë e tym protestuesit po bënin çmos për ta ndaluar zgjedhjen e Thaçit president. Por, pavarësisht kësaj Thaçi përdori çdo mjet të pushtetit për të qenë në krye të Kosovës.

foto-12

Me një ceremoni të paparë më herët në shtetin tonë, me 8 prill ish-presidentja Atifete Jahjaga edhe zyrtarisht bëri dorëzimin e postit të presidentit dhe ia dorëzoi Kushtetutën e vendit presidentit Hashim Thaçi.

img_0142a

Brenda vitit 2016 opozita e bashkuar u nda

Pas diskutimeve për ‘Demarkacionin’ opozita kosovare e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NIMSA i bashkoi forcat për të kundërshtuar fuqishëm Demarkacionin me Malin e Zi si dhe për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë, kërkesa këto që gjatë vitit 2016 nuk arritën t’i ndalojnë. Ata u përpoqën shumë, në Kuvend kundërshtuan në çdo formë, jashtë Kuvendit organizuan protesta madhështore duke thirrur qytetarët që të dalin në rrugë që përmes protestave t’i kundërshtojnë marrëveshjet.

opozita-fot0-11

Pa viza edhe sivjet

Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkan ndaj të cilit aplikohet regjimi i vizave. Tash e 6 vite u premtua dhe u tha shumë se liberalizimi i vizave do të ndodhë, por ende nuk dihet se kur qytetaret do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kosova gjatë vitit 2016 iu afrua shumë liberalizimit të vizave por në raportin e përpiluar nga shefja e diplomacisë evropiane, Frederica Mogherinit, u tha se ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi si dhe dëshmitë konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kushte të cilat duhet të plotësohen para vendimit mbi lëvizjen e lirë.

Viza

Përgjimet

Kohë më parë u publikua afera “Pronto” ku bëri bujë dhe komentime të mëdha mirëpo nuk mbaroi me kaq. Kësaj radhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit i janë publikuar përgjimet e radhës të bisedave telefonike të bëra gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011. U siguruan mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim të gjykatës gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011. Bazuar në këto mediat shkruanin se Grabovci është njeriu që mban gjallë fuqinë në prapaskenë të PDK-së, koordinon të gjitha aktivitet e paligjshme të partisë i luten të gjithë për kryerjen e favoreve. Pastaj u shkrua se ai iu nënshtrohet vetëm dy vetave Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Në këto biseda u pa se vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai punësoi qindra njerëz, zgjodhi dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura, hoqi nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërroi komisione për konkurse. Madje në biseda u dëgjua se si Grabovci i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme. Pas daljes së këtyre përgjimeve një grup i qytetarëve së bashku me organizata joqeveritare filluan protestat me moton kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtyre protestave iu bashkua edhe partia Opozitare VV ku qëllim kishin rrëzimin e Qeverisë por që nuk pati sukses. Mirëpo një gjë që ndodhi ishte se nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci dha dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

adem grabovci

Sulmi në Kuvend

Objekti i Kuvendit të Kosovës u sulmua mbrëmjen e 4 gushtit me zollë. Policia e Kosovës arrestoi 6 aktivistë të LVV si të dyshuar për sulm, ku tre nga ta u liruan me kusht ndërsa tre të tjetër u mbajtën në paraburgim. Gjatë qëndrimin në paraburgim njëri nga të arrestuarit, Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij. Pas kësaj të burgosurit e tjerë u lirua.

sulmi-1

Vrasja e aktivistit të VV Astrit Deharit ngjalli shumë reagime e polemika nga të gjithë. Shoqëria Civile ngriti zërin duke protestuar për të kërkuar drejtësi për vrasjen e tij. E nga ana tjetër Prokuroria e Shtetit pas hetimeve të bëra thotë se ai është vetëvrarë në burg. Ndërsa krejtësisht të kundërtën e thonë familja dhe ekspertet e pavarur të angazhuar nga familja. Ata e quajnë si vrasje të dhunshme. Mirëpo, ende nuk dihet cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje.

drejtesi-per-astritin-protesta-astrit-dehari-vv-3

Demarkacioni

Çështja e Demarkacionit nuk u zgjidh përgjatë vitit 2016. Opozita kundërshtoi fuqishëm ratifikimin e tij në Kuvend, e nga ana tjetër BE e vuri si kusht kalimin e tij për Liberalizim të vizave. Kryeministri i vendit Isa Mustafa vetë e solli, e vetë e tërhoqi nga Kuvendi pasi kishte kuptuar se nuk i kishte votat e mjaftueshme për tu miratuar. Mbetet të shihet në fillim të vitit 2017 nëse do të kaloj apo jo Demarkacioni.

demarkacioni

Ligji për Trepçën

U përfol shumë për Trepçën, u tha se duhet të privatizohet, u kërkuan investitorë por në fund zgjidhja që iu bë kësaj ndërmarrjeje ishte miratimi nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Trepçën, me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg. Me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e kaluan Ligjin e plotësuar, i cili ngjalli kundërshtimet e deputetëve të Listës Serbe që nuk qëndruan në sallë deri në fund të seancës së dytë, e po ashtu pas kësaj seance Lista Serbe bojkotoi Kuvendin për një kohë të pacaktuar. Ky ligj e përcakton Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin.

ligji-per-trepcen2a

Zgjedhjet në komunën e Drenasit

E diela e 4 dhjetorit për qytetarët e Drenasit nuk ishte ditë pushimi pasi që ata kishin për ta votuar kryetarin për komunën e tyre. Ndonëse në fillim të ditës nuk kishte edhe aq shumë vrull të qytetarëve të Drenasit që kishin dalë për ta ushtruar të drejtën e tyre, mesdita dhe mbrëmja në qendrat e votimit në këtë komunë doli të jetë e mbushur me qytetarë. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, u prit shumë nga qytetarët që të kumtohej emri i njërit nga kandidatët që do të udhëhiqte këtë komunë, por ndodhi e kundërta. Kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci dhe Isa Xhemajlaj nga NISMA ishin ata të cilët do të garonin në raundin e dytë të zgjedhjeve në këtë komunë. Balotazhi u mbajt më 17 dhjetor, ku në këtë datë doli fitues kandidati nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

ramiz-lladrovci-foto-01

 Muri në Mitrovicë

Ndonëse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar, temat që po bisedohen në atë dialog duket se kur po iu paraqiten qytetarëve sikur po vendoset mjegull mbi to. Ajo që tani doli e që po thuhet se nuk ishte pjesë e këtyre bisedimeve është Muri në Mitrovicë. Me datën 10 dhjetor në Mitrovicë u ndërtua një mur gjë e cila ngjalli reagime të shumta nga Organizatat Joqeveritare, Shoqëria Civile, Opozita por edhe nga Pozita.

Vetë akterët e këtyre bisedimeve dolën e thanë që ky mur nuk ka qenë pjesë e temave në Bruksel dhe se duhet të merret vendim nga udhëheqësit e shtetit që të rrënohet. Një gjë të tillë e tha edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli si dhe vetë Presidenti. Sipas tyre muri është ilegal dhe do të hiqet në bazë të legjislacionit. Kurse BE tha se nuk ka gisht në këtë dhe se sipas tyre këtë çështje duhet ta zgjidhin vetëm krerët e vendit.

mitrovice-muri-ne-uren-e-ibrit-7-dhjetor-20161481267186

Pranimi në UEFA dhe FIFA 3 maj

Pritja e shumë e të gjithë atyre që e duan dhe që e luajnë futbollin u shpërblye me 3 maj, ku në këtë datë historike Kosova pranohet në UEFA. Me 28 vota për, aq sa i duheshin për t’u pranuar në asociacionin më të lartë evropian, UEFA, tanimë iu realizua ëndrra gjithë qytetarëve të Kosovës.

Nuk shkoi shumë gjatë vetëm 10 ditë më pas ku Kosova u bë anëtari i 210-të i FIFA. Në Meksikë u mor vendimi historik për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Futbollit pra, Kosova u pranua dhe në FIFA, ku mori 141 vota për, nga 205 vende në total që kishin të drejtë vote. Një vendim që i dha përfundimisht pavarësinë futbollistike Kosovës, që të jetë pjesë e FIFA-s me të drejta të plota. Një arritje madhështore kjo për futbollin kosovar pas më shumë se 3 dekadash përpjekjeje për t’u njohur ndërkombëtarësisht. Një njohje, që u bë zyrtare dhe që ishte edhe një fitore e Fadil Vokrrit në betejën e tij drejt njohjes së futbollit kosovar, ku nëpërmjet një fjalimi të thjeshtë arriti të bindë, vendet e tjera anëtare për t’i dhënë votën pro Federatës Kosovare.
kosova-ne-fifa

kosova-ne-uefa

Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë 

Xhudistja Majlinda Kelmendi (52 kg) bëri historinë. Majlinda i solli medaljen e parë të artë Republikës së Kosovës. Ajo në finalen e xhudos ishte si eksploziv kundër italianes, Odette Giuffrida. Ajo rreth minutës së parë paksa lëndoi kokën, por nuk ishte aq serioze pasi që në vazhdim shkëlqeu dhe triumfoi me plot meritë, duke sjell emocione të papërshkrueshme në mbarë kombin shqiptar.

majlinda-kelmendi-foto-12

Filmi SHOK

Kosova shënoi suksesin më të madh në historinë e industrisë së filmit. Filmi “Shok” u nominua për çmimin Oscar. Ishte hera e parë në histori që Kosova hyri në “Academy of Motion Pictures Arts and Science”. Ky projekt filmik u bë me skenar dhe regji të Jamie Donoughue, në bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë ndërsa xhirimet janë realizuar në muajin nëntor të vitit 2014 në Shalë të Bajgorës. Ngjarja e filmit kishte të bënte me periudhën e luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Në këtë film u sprovuan kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë. /ARBRESH.INFO

filmi-shok

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme