Zotohet të jetë i pakompromis kundër të gjithë atyre që kanë gisht në kidnapimin dhe arrestimin e gjashtë shtetasve turq. Madje nuk do tч kursejë asnjë prej zyrtarëve të shtetit, përfshirë këtu edhe Presidentin Thaçi. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi thotë për Gazetën Express se sapo të marrë zyrtarisht kërkesën e Haradinajt për rastin e gylenistëve, do të fillojë menjëherë me hetime.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili është caktuar që të udhëheqë ekipin për nisjen e hetimeve rreth rastit të arrestimit dhe pastaj deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, në një deklaratë për Gazetën Express ka thënë se institucioni i tij prej nesër do të nisë me mbledhjen e provave rreth këtyre arrestimeve.
Gjashtë gylenistët u morën me një avion special nga shërbimi sekret turk MIT, por Lumezi thotë se do hetojë përfshirjen e zyrtarëve të shtetit të Kosovës në këtë aferë.
“Zyrtarisht ende nuk e kam marrë kërkesën për hetim, ngase atë ditë kemi qenë në festë zyrtare dhe ditë pushimi ka qenë. Në bazë të shkresës ne do të veprojmë. Do të sigurohemi se a ka elemente për ndonjë vepër penale. Në bazë të grumbullimit të informacioneve, ne do të shohim se cilët zyrtarë shtetërorë janë përgjegjës lidhur me dëbimin e shtetasve turq”, është shprehur Lumezi.
Duke e komentuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm Flamur Sefajt dhe drejtorit të AKI’së Driton Gashit, kryeprokurori vlerëson se shkarkimi nuk u mjafton nëse të njëjtët në këtë rast kanë kryer ndonjë vepër penale, pasi për këtë duhet të diskutohet edhe parimi i ligjshmërisë.
“Për ne nuk është i mjaftueshëm shkarkimi, për neve është indicie nëse ata kanë kryer ndonjë vepër penale. Duhet të diskutohet parimi i ligjshmërisë. Nëse ata kanë kryer ndonjë vepër penale atëherë ne edhe do të veprojmë. Ne tash do të nisim me grumbullimin e informatave dhe të dhënave dhe pas këtyre do të shohim se a ka bërë ndonjëri nga këta zyrtarë shtetërorë vepër penale”, ka shtuar kryeprokurori.
Presidenti i Kosovës Hashim Taçi fillimisht kishte deklaruar se operacioni është kryer pa dijeninë e tij, por më vonë e arsyetoi deportimin duke thënë se, sipas AKI’së, gylenistët paraqisnin rrezik për sigurinë e vendit. Megjithatë, Lumezi pranon se ende nga ky institucion nuk kanë ndonjë informacion se këta persona cilësoheshin të rrezikshëm dhe tha se vetëm pasi t’i shqyrtojnë të gjitha dokumentacion atëherë do të veprojnë dhe do të vendosin se ndaj kujt do të nisen hetime.
“Ne së pari duhet të kemi informacione të sakta se cili ka qenë vlerësimi i AKI’së. Tani për tani, nuk e kemi asnjë informacion nga AKI se ata persona e rrezikojnë sigurinë shtetërore. E, nëse ata persona e rrezikojnë sigurinë shtetërore atëherë ata sigurisht që është dashur që ta njoftojnë edhe kryeprokurorin e shtetit dhe të fillojnë ndjekjen penale në Republikën e Kosovës”, thotë Lumezi.
“Ne sigurisht që do t’i sigurojmë të gjitha dokumentacionet dhe në bazë të këtyre do të shohim se ndaj cilit nga këta personave do të nisim hetime”, ka sqaruar Lumezi për Express.
Autoritetet në Kosovë të enjten kanë arrestuar dhe më pas kanë dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq, punonjës në shkollat e rrjetit “Mehmet Akif” në Kosovë.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor “Gulistan” që drejtohen nga Fethullah Guleni, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grusht-shtet në Turqi, në vitin 2016.
Pas dëbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga detyra, që do të thotë kishte shkarkuar ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashi.