Të hënën, Qeveria e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut mbajnë mbledhje të përbashkët qeveritare

22:54 | 14 Nëntor 2024
E.H

Të hënën (18 nëntor)  në Kosovë është planifikuar të mbahet mbledhja ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç njofton Qeveria e RMV-së, në këtë mbledhje pritet të nënshkruhen disa memorandume bashkëpunimi, transmeton Arbresh.info.

“Ju informojmë se më datë 18.11.2024 në Prishtinë do të mbahet mbledhja ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me fillim zyrtar në orën 10:50 sipas agjendës së parashikuar. Në kuadër të mbledhjes ndërqeveritare do të nënshkruhen disa memorandume dhe marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha. Për këtë qëllim, përfaqësuesit e mediave, të cilët janë të interesuar ta ndjekin ngjarjen, duhet të akreditohen në këtë e-mail adresë: [email protected]. Ju lutemi të dërgoni emrin dhe mbiemrin e personave që do të marrin pjesë dhe do të ndjekin ngjarjen, si dhe numrin e kartës së identitetit për identifikim. Gjithashtu, ju informojmë se nuk është parashikuar transport i organizuar. Afati i fundit për aplikim është 15.11 (e premte) deri në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë disa çështje dhe projekte të përbashkëta, që pritet të konkretizohen në këtë seancë. Kjo është seanca e dytë ndërmjet dy shteteve.

Ministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, më 30 tetor kishte paralajmëruar takimin ndërmjet dy qeverive dhe kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar disa projekte që prekin interesat e të dy vendeve, si rruga Shkup – Bllacë, Prizren – Tetovë dhe pika e përbashkët kufitare “One Stop Shop”, si një zgjidhje për tejkalimin e kolonave të gjata në kalimet./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme