Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të rregullt në të cilën ka miratuar një projektligj, dy nisma të marrëveshjeve ndërkombëtare, një emërim dhe katër vendime tjera.
Si pikë të parë të rendit të ditës, Qeveria ka miratuar Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave, autoriteteve kompetente dhe procedurave për propozimin, miratimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara në Republikën e Kosovës. Këto masa kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftën kundër terrorizmit dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, me qëllim të kontributit në zhvillimin dhe forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe arritjes së objektivave të tjera në përputhje më të drejtën ndërkombëtare. Masat e përcaktuara në këtë projektligj janë në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aktet e Bashkimit Evropian, vendimet e organizatave tjera ndërkombëtare në të cilat Republika e Kosovës është anëtare ose masat e të cilave i zbaton.
Pas shqyrtimit është miratuar në mbledhje ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022, i amandamentuar me Vendimin Nr. 13/68, të datës 23 mars 2022 për “zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë”. Sipas vendimit sanksionet do të konsistojnë në:
– ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara;
– ndalimin e qasjes dhe operimit në tregun financiar në Kosovë individëve apo entiteteve të sanksionuara;
– ndalimin e udhëtimit në territorin e Republikës së Kosovës të individëve të sanksionuar;
– ndalimin për individë dhe entitete të Republikës së Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara;
– ndalimin për çdo ndërmarrje transporti rrugor rus apo bjellorus që të transportojnë mallra në Republikën e Kosovës (përjashtimisht të produkteve farmaceutike, mjekësore, bujqësore dhe ushqimore për qëllime humanitare);
– ndalimin e importit nga Rusia të qymyrit dhe lëndëve tjera djegëse të ngurta fosile në Kosovë, nëse ato janë me origjinë nga Rusia ose eksportohen nga Rusia.
Po ashtu, qeveria ka miratuar vendimin për vendosjen e masave kufizuese kundër Grupit Ëagner (një entitet ushtarak privat i pa inkorporuar, me bazë në Rusi). Grupi Ëagner konsiderohet se është i ndërlidhur apo përgjegjës për veprime që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Gjithashtu konsiderohet përgjegjës edhe për shkeljen dhe abuzimin e të drejtave të njeriut dhe për aktivitete destabilizuese edhe në vende tjera, duke përfshirë Libinë dhe Sirinë. Aktivitetet e këtij entiteti janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.
Sanksionet sipas këtij vendimi përfshijnë:
– ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara;
– ndalimin e udhëtimit në territorin e Republikës së Kosovës të individëve të sanksionuara;
– ndalimin për individë dhe entitete te Republikës së Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara;
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për zbatimin e Sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me marrjen e masave restriktive antiterroriste ndaj ISIL (Da’esh) dhe Al-Qaeda, si dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me këto organizata, që veprojnë në Afganistan dhe rajonin fqinjë.
Këto sanksione do të jenë në fuqi deri në një vendim tjetër dhe varësisht nga rrethanat mund të përditësohen. Ajo përfshijnë:
– ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara;
– ndalimin e udhëtimit në territorin e Republikës së Kosovës të individëve të sanksionuar;
– ndalimin për individë dhe entitete të Republikës së Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara;
Në mbledhjen e sotme është miratuar Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Yad Vashem-it, Autoritetit për Përkujtim të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit në fushën e Arkivave. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të procedojë për arritjen e kësaj marrëveshjeje në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Ligjit për marrëveshje ndërkombëtare.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022. Sipas vendimit në Programin Legjislativ për vitin 2022 shtohet miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L -048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në fund të mbledhjes, u miratuan Nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve u emërua znj. Dije Rizvanolli, përfaqësuese e Republikës së Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës. Znj. Dije Rizvanolli është pjesë e stafit administrativ dhe civil të ministrisë. /arbresh.info/
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...
Tërmet në Gjirokastër
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...