Google ADS

Të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

15:02 | 24 Maj 2023
A. B.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen 143-të me radhë ka miratuar disa strategji, ndarje të buxheteve dhe disa vendime të tjera.

Në ketë mbledhje Qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe shënimin e 10 Qershorit, përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, me këtë përbërje: 1. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues; 2. Ministri i Mbrojtjes, anëtar; 3. Përfaqësues, Ministria e Drejtësisë, anëtar; 4. Përfaqësues, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar; 5. Përfaqësues, Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar; dhe 6. Përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit, anëtar.

Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, në të cilën janë përcaktuar këto objektiva kryesore: Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit; Modernizimi dhe avancimi i kapaciteteve ushtarake; Rritja e ndërveprueshmërisë ndërinstitucionale; Zgjerimi i bashkëpunimit bilateral, anëtarësimi në organizata dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare; dhe Avancimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe mekanizmat e saj në Kosovë.

Gjatë mbledhjes qeveria ka formuar Këshillin Ndërministror për Kontroll të Duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit, parandalimit, vetëdijesimit dhe edukimit të shoqërisë, me këtë përbërje: Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë, Azize Daku – përfaqësuese nga Ministria e Shëndetësisë; Laura Lutfiu – nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Antoneta Azemi nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Blirind Danjolli – Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Vlora Limani Hajnuni – nga Ministria e Drejtësisë; Kushtrim Krasniqi, nga Ministria e Punëve të Brendshme; Gent Zeqiri – nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Eljesi Surdulli – nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Isuf Cikaqi – nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Onur Canhasi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Dr.Naser Ramadani – profesionist shëndetësor; Behare Bajraktari – përfaqësuese e mjeteve të informimit; Agron Bytyqi – nga shoqëria civile; Besim Kodra – nga shoqëria civile.

Qeveria gjatë kësaj mbledhje ka miratuar edhe këto kërkesa:

– Kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e Emergjencës së Shëndetit Publik. Kjo po bëhet në bazë të situatës epidemiologjike në Kosovë dhe rekomandimit të Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës, si dhe Deklaratën e OBSH-së për heqje të gjendjes emergjente të shëndetit publik.

– Ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 12/26, të datës 23 prill 2020, sipas së cilit Shukrije Statovcit, eksperte mjekësore nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Valbona Çitakut, përfaqësuese e shoqërisë civile, i vazhdohet mandati edhe për një mandat tjetër si anëtare të Komisionit për Kompensimit e Viktimave të Krimit.

– Ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 4.4 – Mbështetja e Sigurisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Me këtë vendim janë ndarë njëzet e pesë milionë e tetëqind mijë euro (25.800 000).

– Ndarjen e mjeteve buxhetore prej 32,300 € (tridhjetë e dy mijë e treqind euro) euro për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e ndërmarrjeve publike për masën 3.6, e cila ishte ekzekutuar në vitin e kaluar në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike.

– Vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Ndërtesës Administrative për nevoja të Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës.

– Vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i Kompleksit Sportiv “Qendra Nacionale e Xhudos” në Pejë.

– Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së, ‘Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat’. Sipas Marrëveshjes, Kosova merr pjesë si vend i asociuar dhe kontribuon në të gjitha fushat e këtij programi.

– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

– Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës, Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

– Nisma për negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunimin Kulturor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Bangladeshit.

– Plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2023, sipas të cilit shtohen edhe tri projektligje për këtë vit; Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023m dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti me propozim për amendamentin e ligjit për ndarjet buxhetore.

– Ndarjen e mjeteve në shumë prej 17 mijë e 350 euro për mbështetjen e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, konkretisht për realizimin e vizitës së një delegacioni të këtij këshilli në Parlamentin Evropian.

– Plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë Nr.21/140 të datës 26.04.2023 me qëllim të zbatimit të pakos ndihmëse për komunitetet jo shumicë, në vlerë prej 3 milion euro, të cilën e patëm miratuar para një muaji.

– Riprocedimin për në Kuvend të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”.

Në këtë mbledhje, Kabineti Qeveritar është informuar gjithashtu edhe me Raportin e Ligjshmërisë së Akteve të Kuvendeve të Komunave për periudhën janar – dhjetor 2022.

Sipas legjislacionit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është autoriteti mbikëqyrës i akteve të komunave. Në bazë të raportit të prezantuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal janë vlerësuar të ligjshme 1038 akte, ndërsa në rishqyrtim nga komunat janë adresuar 68 akte të ndryshme të komunave. Nga ky numër, 61 akte janë rishqyrtuar dhe harmonizuar sipas kërkesës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, 2 akte edhe pse janë rishqyrtuar nuk janë harmonizuar në përputhje me kërkesat e MAPL-së, ndërsa 5 akte tjera nuk janë rishqyrtuar fare nga komunat. 4 nga komuna e Prishtinës dhe 1 nga komuna e Mamushës. /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme