Gjatë ditës së sotshme është duke u mbajtur seanca për votimin e Qeverisë së re.
I pari që foli në këtë seanc ishte mandatari për kryeministër, Albin Kurti.
Lideri i LVV-së në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar fjalimin e tij të plotë, ku ka paraqitur të gjitha premtimet për katër vitet e ardhshme.
Më poshtë keni fjalimin e plotë të Albin Kurtit:
Të dashur qytetarë e përdorues të rrjeteve sociale, më poshtë po postoj tekstin dhe videon nga fjalimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës, në të cilin paraqita pikat e rëndësishme të programit të qeverisë së re:
Të nderuar deputetë të Kuvendit, të dashur qytetarë të Republikës.
Shkëlqesi, ambasadorë, përfaqësues ndërkombëtarë,
kryetarë të komunave,
familje të dëshmorëve,
të nderuar të pranishëm.
Më lejoni t’ia filloj prej asaj që është më e rëndësishmja, programi ynë qeverisës, për të cilin ekzistojmë ne edhe si përfaqësuese e së shpejti edhe si qeveri.
Programi i plotë do të publikohet në faqen zyrtare, por unë këtu po shpalos një pjesë të tij.
Kemi një program i cili adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar. Me këtë program ne jetësojmë premtimet e 6 tetorit, të kësaj dite që shënoi ndryshimin e madh politik në vend, e të cilin ne sot po e institucionalizojmë së bashku me qeveri të re.
Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike
– Ashtu edhe siç po e shihni, prapa meje do të jenë 15 ministra dhe jo 21 sa ishin më herët.
– Do të kemi rreth 33 zv. ministra dhe jo mbi 80 sa ishin më herët. Pra më pak shpenzime në poste e në privilegje që të shpenzojmë më shumë në projekte zhvillimore.
– Do të departizohen e depolitizohen agjencionet dhe ndërmarrjet publike. Do të reduktojmë e ristrukturojmë ato e do të vendosim indikatorë të matshëm të përformancës për të rregulluar cilësinë e për të matur suksesin dhe dështimin.
– Do të departizojmë shërbimin e jashtëm përmes një rishikimi funksional të bazuar në performancë dhe rezultate.
Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit
Për të ndalur migrimin masiv, për të nxitur punësimin e për të rritur produktivitetin na duhet një program që nxit zhvillimin ekonomik, prandaj:
– Do të mbështesim zhvillimin e ndërmarrësisë në tërësi me fokus të veçantë ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe industritë prodhuese. Ndërmarrësit i shohim si partner kyç në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik.
– Do të nivelizojmë garën për bizneset duke hequr monopolet dhe duke eliminuar evazionin fiskal. Në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Këtë do ta ndryshojmë.
– Ndërmarrësit që duan të rrisin kapacitetet e të rrisin punësimit do të mbështetet përmes fondit zhvillimor, kurse qeveria do të punojë në zgjerimin e tregut për të rritur eksportet.
– Do të rrisim konkurueshmërinë në prokurimin publik dhe cilësinë në punë publike duke rritur transparencën dhe duke përmirësuar kriteret në dhënien e kontratave.
– Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet si e tillë dhe do të transformohet në një agjenci brenda Qeverisë.
– Do të themelohet Fondi Sovran i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime të jashtme dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.
– Do të marrim masa të cilat ndihmojnë punësimin e të rinjve e të grave në veçanti. Do të bëjmë subvencionimin e pagave për sektorin privat.
– Do të themelojmë Fondin Zhvillimor i cili do të ofroj mbështetje financiare për ide inovative.
– Do ta fuqizojmë Fondin e Kosovës për Garanci Kreditore që të rrisim kreditimin për kompanitë vendore.
– Do të jetësojmë Grantin e Katërt për Komuna për investime kapitale.
– Do të bashkojmë Administratën Tatimore (ATK) dhe doganat në një agjenci të vetme që të kalojmë mbledhjen e TVSh-së nga kufiri në brendi të territorit për të hequr ngarkesën që kanë bizneset sot.
Pra, më shumë qasje në financa, më shumë kredi të buta, më shumë garë të drejtë e pa favore, pa monopole e pa evazion fiskal, e më shumë mbrojte e qasje në tregje për bizneset që të nxisim zhvillimin e rrisim punësimin.
Do të jemi qeveri për mbrojtjen e punëtorit.
Për punëtorët më shumë të drejta dhe mbrojtje ligjore të garantuar.
– Programi “8 orë punë” do të promovojmë punën 8 orë në ditë – 40 orë në javë për punëtorët. Për ta arritur këtë synim do ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës deri në 400.
Paga minimale e orët e punës maksimale do të mbrojnë produktivitetin dhe dinjitetin e punëtorit.
Buxheti 3 miliard euro
– Buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit tonë qeverisës, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë dhe duke ruajtur pjesëmarrjen e shpenzimeve publike në Bruto Produktin e Brendshëm.
Programi nacional i kursimeve
– Do të niset një Program Nacional i Kursimit katërvjeçar, nëpërmjet të të cilit do të reduktohen shpenzimet e luksit publik dhe do të evitohen të gjitha shpërdorimet financiare.
Do të jemi qeveri për bujqësi
Bujqit e fermerët tanë nuk janë lypsarë. Ata janë punëtorë të zellshëm që punojnë shumë e fitojnë pak. Mbështetjen duhet ta marrin ata që prodhojnë.
– Ne do të riorganizojmë plotësisht skemën e subvencioneve dhe skemën e granteve, bazuar në kritere të qarta dhe transparencë të plotë, duke u bazuar në produktivitet (sasi të prodhimit) e jo në sipërfaqe, në mënyrë që të përkrahet rritja e produktivitetit dhe në bashkëpunim me sektorin financiar, do të themelohet Fondi për Sigurime Bujqësore.
– Do të investojmë në sistemet e ujitjes së tokave bujqësore.
– Do të lehtësohet qasja në fonde për bujq nëpërmjet rritjes së mbulueshmërisë së kredive nga Fondi për Garantim të Kredive.
– Do të ndërtohet një skemë për subvencionim të normave të interesit për kreditë.
– Do të ketë një plan konkret që siguron çmimet minimale për produkte bujqësore nga ana e shtetit, pra një çmim dysheme, ku Ministria e Bujqësisë brenda një periudhe gjashtëmujore vjen me një plan konkret përfshirë kulturat bujqësore për të cilat aplikohen çmimet e referente.
(Pra, më shumë subvencione e grante që shkojnë te fermerët e vërtetë e jo fiktiv, më shumë ndihmë për të kultivuar produktet, më shumë qasje në financa e më shumë tregje e garanci për shitje e më shumë siguri në ushqim.)
Do të jemi qeveri për teknologji informative
Të rinjtë tanë janë e tashmja dhe e ardhmja jonë. Aftësive e talenteve të tyre duhet të ju ofrojmë hapësirën për zhvillim, prandaj:
– Qeveria e re do të ofrojë trajnime të vazhdueshme për mësimdhënës, në mënyrë që ata t’u përshtaten trendeve të teknologjisë dhe kërkesave të tregut.
– Do ta krijojmë “Fondin për kredi për shkollim dhe stimulim të studentëve të dalluar”.
– Do të themelojmë qendra të teknologjisë me infrastrukturë të qëndrueshme dhe joshëse për kompanitë ndërkombëtare dhe vendore.
– Ligjet do t’i harmonizojmë me ligjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ligjet për privatësi të të dhënave dhe sigurinë kibernetike.
– Do të ofrojmë politika stimuluese për institucionet e teknologjisë, kompanitë e reja (“start-up”), si dhe kompanitë ekzistuese që merren me teknologji
Do të jemi qeveri për ruajtjen e Ambientit
(Zhvillimi jonë ekonomik nuk mund të bëhet në dëm të resurseve tona dhe në dëm të qytetarëve. Politikat tona duhet të mbështesin një ekonomi qarkore)
– Prioritet i veçantë do të jetë trajtimi i ajrit të ndotur, ruajtja e pyjeve nga degradimi dhe investimet për gjelbërim e ripyllëzim.
– Do të sigurohemi që kemi shfrytëzim racional të pyjeve krahas pyllëzimit të vazhdueshëm.
– Do të mbrojmë burimet ujore. Në Kosovë sot, ajri shihet e uji s’pihet. Dikur njerëzit kanë pirë ujin e lumenjve direkt, sot nuk munden as të lahen. Bagëtia nuk e pijnë më ujin e lumenjve në Kosovë. Duhet ta pastrojmë Kosovën.
– Do të përfundohen projektet për trajtimin e ujërave e të zeza dhe do të investojmë në menaxhimin e mbeturinave në mënyrë që mos të kemi deponi të hapura që e rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Do të jemi qeveri për rend dhe ligj, siguri dhe paqe
Siguria e jashtme do të jetë prioritet:
– Do të bëhen përgatitjet për avancim të FSK-së drejt ushtrisë në kohë optimale dhe përgatitjet për anëtarësim në NATO.
Vetingu në polici, prokurori, gjyqësi, AKI, ATK, Dogana dhe Njësi të Inteligjencës Financiare do të jetë prioritet.
Shteti i së drejtës duhet të garantojë barazinë para ligjit. Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur e paanshme dhe profesionale. Ne do të heqim ekzekutivin brenda drejtësisë e mbi drejtësinë. Me qeverisjen tonë s’do të ketë as individ e as parti e as kompani më të fuqishme se shteti. Do ta ndalojmë korrupsionin në institucione, do ta luftojmë korrupsionin në shoqëri.
– Do të ndërmerren hapa në drejtim të dekriminalizimit dhe kthimit të besimit në sistemin e drejtësisë dhe atij të sigurisë, përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të veçanta për luftim të korrupsionit. Vetingu fillimisht do të jetë i përgjithshëm, mandej i vazhdueshëm. Procesi i vetingut do të kryhet bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Afati orientues për vetingun e parë të përgjithshëm është 24 muaj.
– Do të rishikohet funksionimi i të gjitha task forcave dhe do të shuhen ato që konsiderohen të panevojshme për t’i hapë rrugë themelimit të “Zyrës Shtetërore e Hetimeve” në përputhje me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, si dhe
– Do të miratohet Ligji për kontrollin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili do të marrë parasysh praktikat ndërkombëtare të vendeve perëndimore.
Me qeverisjen tonë, Shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm
– Në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak. Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tremujore, i cili do t’i ndihmojë FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes.
Do të jemi qeveri që do të bëjë dënimin e krimeve të luftës
– Do të miratohet ligji për krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit dhe agresionit. Do të themelohet “Instituti për Krimet e Luftës”, i cili e mbështet prokurorinë në dokumentimin e krimeve të luftës. Nga institucionet kompetente, bazuar në ligjin vendor dhe ndërkombëtar, do të përgatitet padia kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.
Do të jemi qeveri e arsimit e për arsimin
Zhvillimi jonë ekonomik kërkon fuqi punëtore të kualifikuar. Për të bërë këtë duhet të sigurohemi se në shkollat tona kemi cilësi e në fakultetet tona kemi përputhje të programeve me kërkesat e tregut. Çdo i katërti i ri në Kosovë nuk është as në punë e as në shkollë. Më shumë se gjysma e atyre që punojnë, këtë e bëjnë jashtë profesionit të tyre, vetëm çereku punon në profesion dhe as 10% nuk bëjnë punë që lidhen me profesionin e tyre.
Kosovës po i ikin njerëzit e ditur e të zot, po i ik truri. Në vendet e varfra ka më shumë njerëz të tejkualifikuar, pikërisht pse nuk e kanë të lidhur arsimin me ekonominë, nuk e kanë urëzuar hendekun e shkathtësive, dhe, kanë përfunduar me papunësi të lartë dhe varfëri të gjerë.
Prandaj një gjë është më e rëndësishme edhe se arsimi e ekonomia e kjo është lidhja e arsimit me ekonominë.
– Ministria jonë e arsimit do të ri-organizohet për të rritë funksionimin dhe efikasitetin.
– Do të investohet në modernizimin e infrastrukturës në arsimin e lartë.
– Do të investohet në kabinete, laboratorë e biblioteka.
– Do të bëhet vlerësim i plotë i kurrikulave arsimore për të mundësuar mësim-nxënie dhe mësimdhënie më të lehtë dhe më efikase.
– Në këtë drejtim, do të fuqizohet Instituti Pedagogjik në krijimin e kapaciteteve në zhvillimin dhe mbikëqyrjen e vlerësimin e rregullt të zbatimit të kurrikulave.
– Do të ndihmohen komunat në planifikimin dhe ndërtimin e rrjetit të institucioneve parashkollore që të rrisim pjesëmarrjen në arsim parashkollor deri në 50% deri në vitin 2022.
– Do të rrisim vendimmarrjen në shkolla me përfshirje më të madhe të komunitetit dhe me rol më të fuqishëm të drejtorit të shkollës.
– Do të rishikohet ligji për arsimin e lartë.
– Do të investohet në sigurimin e pavarësisë së plotë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
– Do të ri-themelohet Këshilli Kombëtar i Shkencës si dhe do të zhvillohet dhe fuqizohet Fondi Kombëtar i Shkencës për të mbështetur projekte shkencore mbi baza të konkurrencës dhe prioriteteve kombëtare që i ka shteti ynë.
– Do të zhvillohet “Fondi i Ekselencës” i cili do të mbështetëse kuadrot premtuese me orientim në shkenca, në veçanti gratë që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore, brenda e jashtë vendit.
Do të jemi qeveri për Shëndetësi
Qasja në shëndetësi publike cilësore është e drejtë që nuk mund të i mohohet asnjë qytetari, pavarësisht se prej nga vjen e sa fiton, prandaj:
– Do të rritet buxheti për të siguruar furnizimin 100% me barna nga lista esenciale e barnave.
– Do të rritet buxheti në 50 milionë euro për blerjen e pajisjeve mjekësore për modernizimin e klinikave për të ofruar shërbimeve cilësore.
– Dhe, pas shumë viteve pritjeje e ankthi, qeveria do të bëjë funksionalë Fondin brenda dy viteve të para të qeverisjes. Gjatë kësaj periudhe do të vazhdohet me ngritjen e kapaciteteve teknike të Fondit dhe funksionalizmin e Sistemit Informativ shëndetësor, si kusht kryesor për fillimin e punës së Fondit.
– Në konsultim me profesionistët shëndetësorë do të themelohet Instituti për Nënën dhe Fëmijën, ku do të hyjnë të gjitha klinikat që lidhen me nënën dhe fëmijën dhe Instituti për Kardiologji dhe sëmundje Kardiovaskulare.
Do të jemi qeveri për Politikat sociale
Vendi jonë është i varfër. E nga varfëria nuk dalim dot nëse ata që janë në fund nuk përparojnë. Progresi jonë shoqëror duhet të ndahet, duhet të shpërndahet. Askush nuk do të mbetet mbrapa. Kur edhe punon por nuk e ngop dot familjen bukë, ky është mjerimi nga i cili duan të arratisen njerëzit.
– Kjo qeveri do të synojë të kthej sensin e barazisë në shoqëri.
– Do të ndërmerret një reformë gjithëpërfshirëse e politikave sociale e cila do të rezultojë me një definim të qartë të kritereve për skemat sociale dhe do të jetësohen shtesat për fëmijë.
– Banimi do të bëhet i përballueshëm. Institucionet shtetërore do të përfshihen në ndërtimin e banesave që do të jenë të përballueshme për familjet e reja dhe familjet në nevojë që nuk mund të përballojnë blerjen e banesave me kushte të tregut.
– Do të ndërmerret një reformë e përgjithshme e skemave pensionale për t’i bërë këto skema më të qëndrueshme.
– Do të aplikohet rimbursimi për familjet me të ardhura nën 5.000 euro në vit.
– Do të intensifikojmë dialogun social për përcaktimin e pagës minimale.
Do të jemi qeveri e kulturës e për sportin
Ne mund të investojmë shumë në ministri të punëve të jashtme, në ambasada e në konsullata por shpeshherë më shumë njohje përveçse reputacion na sjellin medaljet e sportistëve e të artistëve se sa diplomatët.
– Do të ndërtojmë teatrin e operas dhe baletit.
– Do të themelojmë Muzeun e Krimeve gjatë Luftës, Muzeun e Historisë dhe atë të Arteve Bashkëkohore.
– Do të rrisim subvencionet dhe do të avancojmë diplomacinë kulturore.
– Do të financojmë projektet e qendrave multi-funksionale sportive.
– Do të investojmë në Qendrën Nacionale të Sportit në Prishtinë si dhe
– Mbështetje financiare për klubet garuese në garat ndërkombëtare.
Do të jemi qeveri për infrastrukturë:
Infrastruktura jonë duhet të jetë e plotë dhe funksionale. Ajo nuk duhet të jetë në shërbim të shteteve tjera si rrugë tranzit për të dalë në një shtet tjetër, por duhet të jetë e integruar me ekonominë tonë
– Projektet infrastrukturore do të hapin rrugë të reja, jo autostrada të mbyllura, që do të na lidhin kësisoj edhe më shumë. Do ta shpëtojmë fshatin nga emigrimi dhe do ta zhvillojmë atë duke e lidhur me ekonominë nacionale. Do të ndërtojmë aksin rrugor Prizren-Tetovë dhe atë Gjakovë-Shkodër, si dhe funksionalizimin e plotë të sistemit hekurudhor brenda Kosovës.
Do të jemi qeveri për energji
Çdoherë të vetëdijshëm për ambientin, ne duhet të shfrytëzojmë resurset tona me përgjegjësi dhe vetëm si zgjedhje të fundit në shërbim të zhvillimit ekonomik.
– Do të përdorim fuqinë energjetike dhe minerale në shërbim të zhvillimit ekonomik, por gjithnjë duke mbrojtur ambientin.
– Do të arrijmë cakun prej 25% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtëritshme në bruto konsumin final të energjisë.
– Do të krijojmë zonën e përbashkët energjetike Kosovë-Shqipëri për të arritur komplementaritet në prodhimin e energjisë dhe do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike për të mundësuar një treg konkurrues, transparent, jo-diskriminues dhe i orientuar drejt konsumatorit.
Do të jemi qeveri për Mërgatën
Mërgata jonë është jashtë shtetit por brenda kombit. Ata janë pasuria jonë e pashtershme që financuan luftën çlirimtare e që mirëmbajnë paqen sociale.
– Ne do të rrisim pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje. Do të inkurajojmë dhe garantojmë investimet e tyre.
– Do të lehtësojmë votimin dhe do të rrisim komunikimin përmes Këshillit Konsultativ të Diasporës.
Do të kemi Politikë të jashtme serioze dhe do të jemi qeveri e integrimit në BE
– Politika jonë e jashtme do të udhëhiqet nga parimet e mishëruara në Kushtetutë dhe standardet ndërkombëtare në fushën e diplomacisë.
– Dialogu zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve.
– Me Serbinë do të kthejmë reciprocitetin e plotë tregtar, ekonomik e politik.
– Jam i gatshëm që të udhëheq bisedimet e ardhshme me Serbinë. Do të kem ekip gjithëpërfshirës për bisedime, në kuptimin politik, etnik, shoqëror dhe profesional. Nuk konsideroj që jam as më i mençuri, as më i dituri dhe as më i guximshmi në këtë shtet. Dhe, jam ai që jam, për shkak se jam bashkë me të tjerë.
Këto ditë më janë mbushur 23 vjet aktivitet në politikë. Dhe, sot, ndodhem të nderuar deputet këtu para jush, plot 23 vjet si opozitar, dhe sot, këtu më ndan vetëm një votim i juaji nga përfundimi i karrierës sime politike të tillë çfarë njihej e dihej deri tani.
Ata që më kanë dashur si opozitar, besoj se do të duhej të më duan tash si pushtetar. Ata që nuk më kanë dashur si opozitar e kanë shansin të ma përfundojnë karrierën.
Ju faleminderit.
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...