Google ADS

Të burgosurit në Dubravë po ndërtojnë serë, punimet mirëpriten edhe nga gratë e burgosura

23:45 | 26 Shtator 2020
Arbresh.info

Ndërtimin e serës ku do të kultivohen perime po e bëjnë të burgosurit e Burgut të Dubravës.

Nis çdo ditë punën në orën 08:00 në mëngjes.

I burgosuri me inicialet Y.B. që po vuan dënimin në Burgun e Dubravës është zhvendosur në hapësirat e Qendrës Korrektuese në Lipjan.

Ai udhëheq ekipin e të burgosurve që po ndërtojnë një serë në oborrin e kësaj qendre korrektuese.

I dënuari me 12 vite burgim, thotë se angazhimi këtu për të është i mirëpritur.

Sipas tij këtu po e vë në praktikë atë se çfarë ka mësuar në trajnimet me Organizatën Gjermane, HELP, ku edhe është çertifikuar.

Monitorimin e ndërtimit të kësaj sere, po e bën koordinatori për çështje teknike në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Metush Malaj.

Ai tregon se këtu mbjelljen e fidanëve do ta bëjnë të burgosurat që vuajnë dënimin në Qendrën në Lipjan.

Malaj pohon se numri i të burgosurve të angazhuar ndryshon, pasi që ata që shkojnë në vikend në familje dhe pastaj detyrohen të qëndrojnë në karantinë për shtatë ditë.

Punimet në këtë tokë të pashfrytëzuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan, e kanë mirëpritur gratë që vuajnë dënimin këtu.

Heset Loku, drejtor i Qendrës thotë se këtu është krijuar edhe një hapësirë e re ku të burgosurat do të kalojnë kohën.

Projekti i ndërtimit të serës pritet të përfundojë në javët e ardhshme. Të gjitha konstruksionet metalike janë ndërtuar në punëtorinë e Qendrës Korrektuese të Dubravës./T7

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme