Avokati i Popullit, përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa nga disa të burgosur, të cilët kanë kërkuar të lirohen nga vuajtja e mëtejme e dënimit për shkak të situatës së pandemisë me Covid-19, shkruan arbresh.info.
Duke u përgjigjur këtyre kërkesave Avokati i Popullit Hilmi Jashari, ka deklaruar se me legjislacionin relevant në fuqi, nuk ka kompetenca ndaj vendimeve të Panelit për Lirim me Kusht.
Më tutje, ai ka kërkuar nga organet kompetentë që të ndërprenë natyrën absolute të ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues, e cila parashihet me kushtetutën.
Për më shumë, Avokati i Popullit ka inkurajuar autoritetet kompetente që deri më 30 prill 2020 t’ia dërgojnë KPT-së një raport për masat konkrete të ndërmarra në kontekst të pandemisë globale (COVID-19).
Sipas tij, masat mbrojtëse asnjëherë nuk duhet të rezultojnë në trajtim çnjerëzor dhe degradues të personave të privuar nga liria e tyre./arbresh.info/
Ky është reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:
Avokati i Popullit ka pranuar ankesa nga disa të burgosur, të cilët kanë kërkuar të lirohen nga vuajtja e mëtejme e dënimit duke iu referuar situatës së krijuar me paraqitjen e pandemisë globale COVID-19. Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, me legjislacionin relevant në fuqi, nuk ka kompetenca ndaj vendimeve të Panelit për Lirim me Kusht, e as ndaj vendimeve të gjykatave kompetente, të cilat ndërlidhen me lirim të parakohshëm dhe me pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit.
Duke i njohur detyrimet e qarta për të ndërmarrë veprim të vendosur për të luftuar COVID-19, Avokati i Popullit ua rikujton të gjitha organeve kompetente të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për personat e privuar nga liria, natyrën absolute të ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues, e cila parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në legjislacionin relevant vendor, si dhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Masat mbrojtëse asnjëherë nuk duhet të rezultojnë në trajtim çnjerëzor dhe degradues të personave të privuar nga liria e tyre. Çdo kufizim i të drejtave dhe i lirive themelore duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional, me kohëzgjatje të caktuar, i bazuar në ligj, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe në aktet juridike ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të përfshira në Kushtetutë. Po ashtu, autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës, në këtë periudhë, duhet të veprojnë në pajtim të plotë me Deklaratën e Parimeve e proklamuar nga KPT-ja më 20 mars 2015 dhe nga Këshillat e Nën-komitetit të OKB-së për Parandalim të Torturës për trajtimin e personave të privuar nga liria në kontekst të luftimit të pandemisë COVID-19 të proklamuara më 25 mars 2020. Po ashtu, Avokati i Popullit i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’ua dërgojnë të gjitha ministrive relevante, si dhe çdo autoriteti tjetër (përfshirë gjyqësorin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës) përgjegjës për gjendjen e personave të privuar nga liria e tyre këto dy dokumente të rëndësishme për trajtimin e personave të privuar nga liria në këtë periudhë pandemie globale.
Për më shumë, Avokati i Popullit inkurajon autoritetet kompetente që deri më 30 prill 2020 t’ia dërgojnë KPT-së një raport për masat konkrete të ndërmarra në kontekst të pandemisë globale (COVID-19) në lidhje me trajtimin në burgje të personave të privuar nga liria e tyre, si dhe në institucionet e tjera, në veçanti, në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale dhe në institucionet e mbajtjes për të huajt.
Aty ku vizitat familjare janë ndaluar për arsye shëndetësore, të sigurohen mënyra të tjera të cilat u ofrojnë të burgosurve kontakte me familjet e tyre dhe kontaktet me botën e jashtme, për shembull përmes telefonit, përmes internetit/email, video-komunikimit dhe mjete të tjera elektronike të përshtatshme. Kontaktet e tilla duhet lehtësohen, të inkurajohet dhe të jenë të shpeshta dhe pa pagesë. Personave të privuar nga liria e tyre t’u garantohet niveli i kujdesit shëndetësor, i cili është në dispozicion për komunitetin e lirë. Autoritetet kompetente të ofrojnë kujdes mjekësor për të burgosurit të cilët kanë nevojë dhe nëse është e nevojshme jashtë burgjeve dhe qendrave të paraburgimit kurdo që një gjë e tillë është e mundur. Avokati i Popullit inkurajon organet kompetente që të shqiptojnë sanksione alternative ndaj paraburgimit në mënyrë që të parandalohet rritja e numrit të të burgosurve dhe të mos rrezikohet parimi i distancës sociale, e cila është një nga masat e proklamuara nga OBSh-ja në luftën kundër COVID-19.
Rama: Vetëm këtë vit në kryeqytet janë mbjellë 30 mijë kuror...
Tayna lanson projektin e ri muzikor “Obsesion”
Ndërron jetë papritmas Aulon Grabovci, nipi i politikanit të...
Ndeshja mes Francës dhe Izraelit u ndoq nga numri më i vogël...
Komuna e Vushtrrisë ndalon përdorimin e doracakëve “Edukimi ...
Kim Jong Un urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sulmues