Të bëmat e Prindon Sadriut gjatë vitit 2021

10:28 | 1 Janar 2022
F.T

Prindon Sadriu, diplomati kosovar që njëherit është edhe burri i presidentes Vjosa Osmani disa herë ka qenë protagonist i lajmeve për keqpërdorime në Kosovë që shpesh janë cilësuar edhe skandale, raporton arbresh.info.

Një nga këto skandale ishte edhe kërkesa për rimbursimin e harxhimeve gjatë covid-19, e që nuk u prit aspak mirë për faktin se ai ka të ardhura personale mbi 30 mijë euro në krahasim me shumë qytetarë të cilët kanë luftuar për mbijetesë.

Kërkesën për rimburësim të shpenzimeve në vlerë prej 396 euro e 80 cent, Prindon Sadriu e kishte bërë më 22 dhjetor 2020. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.

“Me shpresën të jeni mirë, ju kërkoj me konsideratë aprovimin e rimbursimit të shpenzimeve të pjesshme shëndetësore të cilat ndërlidhen me trajtimin tim nga infeksioni Covid-19, në shumën totale prej 396.80 Euro. Bashkangjitur gjeni faturat origjinale, ndërsa nëse ju duhet, ju dërgoj edhe raportet e specializuara mjekësore dhe përmbledhjen e të gjitha analizave të bëra. Ju njoftoj gjithashtu se nuk kam mundur të gjej faturën në shumën Euro 40.00, por kam bashkangjitur vetëm kuponin fiskal të cilin si duket e kam ruajtur gabimisht në vend të faturës. Nëse kuponi fiskal nuk mjafton, atëherë me konsideratë kërkoj që ajo faturë të zbritet nga totali”, thuhej në kërkesën e Sadriut.

E ndërkaq vet Sadriu përmes një postimi në Facebook, lajmet për mbulimin e shpenzimeve të tij shëndetësore, i kishte quajtur “lajme tendencioze dhe shtrembërim të së vërtetës”.

”Teme nuk bëhen as shpenzimet mujore telefonike prej mbi 7.000 euro ne muaj nga ish ministra te jashtëm, teme nuk bëhen as kërkesat për mbulim te shpenzimeve shëndetësore te ish diplomateve te emëruar politikisht te cilët vazhdojnë te sjellin fatura shëndetësore ne MPJD me jave e muaj pas përfundimit te mandatit ne shërbimin e jashtëm”, kishte shkruar Sadriu.

Por kjo nuk ishte e gjitha, pak më vonë u bë publike edhe dokumenti tjetër e ku Prindon.

Në vitin e kaluar Sadriu kishte udhëtuar Prishtinë-Shkup, ku shërbente si diplomat i lartë, me që rast për këtë kishte bërë kërkesë për kërkimin e parave për naftë, që bëhej me arsyetimin gjoja Sadriu ende nuk ka gjetur banesë dhe kjo gjë kërkon kohë.

Prindon Sadriut i doli problem edhe me deputeten Ganimete Musliu.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në Kuvend pati deklaruar se nga adresa e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i kishte ardhur një letër e cila ishte e shkruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

Musliu kishte thënë se letra i kishte ardhur në postën e Kuvendit të Kosovës, ndërkaq tha se në atë letër, Sadriu e ka kërcënuar me padi civile.

“Ta keni parasysh se shpifjet që keni bërë më kanë shkaktuar mua dhe familjes sime dëme të pariparueshme, për të cilat dëme ju jeni personalisht përgjegjëse”, thuhej  në letrën e Sadriut drejtuar Musliut.

E po ashtu Sadriu kishte paralajmëruar Musliun se do të ngrejë padi civile ndaj saj.

“Ju njoftoj se së shpejti do të paraqes një padi civile për shpifje kundër jush. Në këtë padi, ndër të tjera, do të kërkojmë edhe kompensimin e dëmit që më keni shkaktuar me shpifjet që keni bërë”, kishte shkruar Sadriu.

Nuk ka se si të mungojë edhe padia nga ana e kundërt ku vetë Musliu kishte  thënë se do të ngritë padi ndaj Prindon Sadriu.

Ani pse qytetarët e Kosovës dënohen për vendosjen e xhamave të errësuar në automjete si duket nuk vlen edhe për familjen e bashkëshortit të presidentes Osmani.

Sadriu në një kërkesë drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlës kishte shkruar që veturës private të babait të tij, Skender Sadriut, të cilës si duket ia kanë vendosur kundërligjshëm folien me ngjyrë të errët në xhamat e përparmë dhe të pasmë, ndryshimi t’i evidentohet edhe në Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit.

“I nderuar Ministër Sveçla: Me shpresën të jeni mirë, në cilësinë e Zotërisë së Parë të Republikës së Kosovës ju kërkoj me konsideratë aprovimin e kërkesës për evidentimin në Certifikatën e regjistrimit të automjetit të folies me ngjyrë të errët të xhamave të përparmë dhe të pasmë të veturës e cila shfrytëzohet nga unë, fëmijët dhe në raste të rralla edhe nga vet Presidentja. Kjo kërkesë bëhet për shkaqe të sigurisë. Ju njoftoj gjithashtu që vetura në fjalë është në shfrytëzim nga babai im me qenë se nuk posedojmë veturën tonën familjare. Prandaj, me konsideratë kërkoj aprovimin e kërkesës në fjalë duke ushtruar diskrecionin tuaj sipas praktikave paraprake nga MPBAP. Detajet e veturës i gjeni të bashkangjitura në Certifikatën e regjistrimit të automjetet të bashkangjitur”, thuhej në kërkesën e Sadriut  për ministrin Sveçla.

Kujtojmë që bashkëshorti i Presidentes Osmani vazhdimisht ka qenë protagonist për shkelje të ndryshme e të cilat edhe janë dokumentuar nga mediat në Kosovë, e më pas të risqaruara nga ana e tij, por ajo çka vjen si pikëpyetje është nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e bashkëshortes së tij e cila është edhe Presidente e Republikës së Kosovës. /S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme