Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po heton rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetaseve turq nga Kosova për në Turqi, nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, ashtu siç pretendon presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thonë udhëheqës të këtij Komisioni.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar është paraqitur para këtij Komisioni për t’u intervistuar dhe ofruar dëshminë e tij lidhur me dëbimin e shtetasve turq, por ai nuk e ofroi këtë dëshmi, duke thënë se Komisioni kishte bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij.
Sipas Thaçit, shkeljet më të mëdha janë bërë me angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për përpilimin e një raporti final në lidhje me këtë rast. Në vend të ofrimit të dëshmisë, Thaçi kërkoi që deputetët e Komisionit të hetohen në lidhje me atë që ai e cilësoi si shkelje të ligjit.
Por, zëvendëskryetari i parë i këtij Komisioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se pretendimet e presidentit Thaçi për shkelje ligjore janë alibi për të mos dëshmuar. Sipas tij, Komisioni dhe zgjedhja e ekspertit ndërkombëtar është realizuar sipas procedurës së zyrës ligjore të Kuvendit të Kosovës.
“Komisioni Hetimor Parlamentar krejt procedurat e përzgjedhjes së ekspertit ndërkombëtar i ka realizuar në koordinim të ngushtë me administratën e Kuvendit dhe zyrën ligjore. Që i bie se zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës ka përgatitur termat e referencës, ka përgatitur kontratën dhe më pas sekretaria e Kuvendit ka bërë pagesën për këtë ekspertë. Kështu që gjithçka është konform ligjit”, tha Selmanaj.
Më 29 mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq.
Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën deklaruar se nuk kishin qenë fare të informacione lidhur me rastin.
Andaj, ishte shtruar edhe nevoja e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar që të vinte deri te një konkluzion.
Por, edhe brenda Komisionit vërehen mospajtime të mëdha. Deputeti Hajdar Beqa, anëtar i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ka pasur shkelje procedurale nga kryetari (Xhelal Sveçla) dhe nënkryetari i këtij Komisioni (Driton Selmanaj).
Megjithatë, Beqa, thotë se nuk ka informacione se nga kush është nënshkruar kontrata me ekspertin nga jashtë dhe nga kush është paguar.
“Nuk e di për këto çështje, nuk është kompetencë e imja. Unë nuk kam lëshuar kontrata dhe nuk jam i informuar për këtë çështje. Neve na është propozuar prej kryetarit të komisionit i cili ka marrë propozimin nga Sami Kurteshi. Dhe ne nuk kemi paragjykuar a është i njëanshëm (eksperti)”, tha Beqa.
Fushata zgjedhore, LVV sot mban tubim elektoral në Pejë
PDK mban sot konferencë për media, s’dihet arsyeja
Rifillon procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Kr...
Moti sot i vranët, temperatura minimale minus 1 gradë
Kush shkon në finale sipas Drilonit?
Vitaminat që funksionojnë njësoj si antibiotikët