Google ADS

Tashmë mund të vizitohet Muzeu i Kosovës, turistët nga Australia të interesuar për artefakte

12:33 | 17 Tetor 2020
Arbresh.info

Qasja në mësimin e historisë e trashëgimisë ishte e pamundur këta shtatë muaj.

Kjo për shkak të pandemisë së Covid-19 që ka bllokuar thuajse gjithë botën. Mbyllja e kufijve e pjesëve të tjera të jetës së përditshme ka prekur edhe muzetë.

Gjatë kësaj kohe pësoi edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës i cili është mbyllur dhe rihapur dy herë.

Mimoza Goçi-Dragusha cicerone në këtë muze ka treguar për arbresh.info se ka tre javë që Muzeu Kombëtar i Kosovës është rihap dhe se janë marrë të gjitha masat sa i përket parandalimit të Covid-19.

“Po natyrisht që po, do të thotë jemi të përgatitur në bazë të rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë që kur të vijnë këtu me qenë të pajisur me maska, dezinfektuesin e kanë këtu  dhe të jenë grupe më të vogla për vizitë”, ka treguar Goçi-Dragusha.

Ajo ka thënë se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë krahasuar me vitet e kaluara sa i përket vizitorëve në përgjithësi.

“Pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë, krahasuar me vitet e kaluara që kemi pas diku gjatë gjithë vitit mbi 11 mijë 12 mijë vizitorë. Na kanë rënë vizitorët, nuk kemi pas nxënës, nuk kemi pas studentë, edhe nuk kemi pas bashkatdhetarë”, ka thënë ajo.

Kurse në momentin që arbresh.info po realizonte një reportazh në Muzeun Kombëtar të Kosovës, hasi në dy turistë të huaj që vinin nga Australia.

Njëri nga turistët për portalin tonë u shpreh se gjithmonë ka dashur të shohë Evropën Juglindore e Ballkanin.

Ai tregoi se çfarë i pëlqeu në Kosovë.

“Jam nga Melburni i Australisë, por kam jetuar në Dubai për tetë vitet e fundit, por Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë të hapura për udhëtarë, dhe gjithmonë kam dashur ta shoh Evropën Juglindore e Ballkanin. Kosova ka histori interesante, njerëz miqësorë e mikpritës, bare të mrekullueshme dhe me të vërtetë po e shijoj këtu”, u shpreh turisti australian.

Hyrja pa pagesë në muze ishte diçka që i bërë përshtypje këtij turisti ndërsa përmendi edhe artefaktet bizantine, për të cilat tha se nuk i kanë në Australi dhe se është mirë që i shohin përderisa janë në Evropë.

“Është interesante dhe gjëja fantastike është që është gratis, gjërat edukuese siç janë muzetë duhet të jenë falas që t’i shohin njerëzi, pasi duhet të inkurajohen për t’i vizituar. Dhe fakti që ka artefakte bizantine nga ajo kohë. Këto gjëra nuk i kemi në Australi, por është mirë t’i shohim gjersa jemi në Evropë”, u shpreh ai.

Ai tregoi se çka iu duk e veçantë në këtë muze.

“Kemi parë artefaktet, mjetet që kanë përdorur dikur në kohën e Mesjetës, për dallim nga Australia që ka qenë e kolonizuar 200 vitet e fundit, shumica e gjërave që kemi nga e kaluara janë nga aborigjenët që janë fantastike, por nuk kemi kështu arkitekturë e mjete, prandaj është interesant t’i shoh sa jam këtu në Kosovë”, përfundoi turisti australian.

Ndryshe ciceronia e këtij muzeu, Mimoza Goçi-Dragusha ka treguar se çka mund të vizitojnë qytetarët në Muzeun Kombëtar të Kosovës, derisa ka treguar se vizitohet nga grup-mosha të ndryshme.

“Ne fillojmë prej ekspozitës bazë që fillon prej para historisë, ekspozita e arkeologjisë, kemi periudhën e neolitit, eneolitit, bronzit, periudhën e hekurit dhe periudhën romake, pastaj kemi edhe luftën e fundit, do të thotë Ushtria Çlirimtare në katin e dytë, deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës. Nuk kisha mund me i veçuar kemi grup mosha të ndryshme, në kohën që vizitohen kemi edhe nxënës, studentë, bashkatdhetarët dhe ndërkombëtarë”, ka përfunduar ajo./ R.Rexhepi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme