Tash e tutje studentët e UP-së do të kryejnë praktikën në departamentet e Ministrisë së Drejtësisë

17:47 | 18 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu është takuar sot me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti.

Në këtë takim është nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, qëllimi i të cilës është përcaktimi i bashkëpunimit ndërmjet MD-së, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe Departamentit të Punës Sociale (DPS), Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për angazhimin e studentëve të DPS-së për punë praktike në institucionet korrektuese të Kosovës di dhe bashkëpunim ndërinstitucional në realizmin e hulumtimeve të ndryshme, transmeton arbresh.info

Njoftimi i plotë:

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu në një takim të përbashkët me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, z. Naser Sahiti, ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, qëllimi i së cilës është përcaktimi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe Departamentit të Punës Sociale (DPS), Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për angazhimin e studentëve të DPS-së për punë praktike në institucionet korrektuese të Kosovës si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e hulumtimeve të ndryshme për qëllime akademike.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi, ministrja Haxhiu ka theksuar se Ministria që ajo drejton mbetet e përkushtuar në ofrimin e bashkëpunimit për çdo interes të përbashkët në të mirë të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Teksa ka folur për angazhimet në Ministrinë e Drejtësisë, Haxhiu tha se përfshirja e të rinjve, përkatësisht studentëve të Universitetit të Prishtinës, është tejet me rëndësi si për institucionin ashtu edhe për aftësimin dhe përgatitjen e studenteve për tregun e punës.

Ministrja Haxhiu shtoi se mbetet e angazhuar në ofrimin e mundësive për studentët e UP-së, që jo vetëm në Shërbimin Korrektues por edhe në departamentet tjera të Ministrisë së Drejtësisë, të bëjnë punë praktike dhe njëkohësisht kjo të iu njihet edhe si përvojë e punës në të ardhëm.

Nga ana tjetër, Rektori i Universiteti të Prishtinës, z. Sahiti ka falënderuar ministren Haxhiu për bashkëpunimin e ofruar dhe ka shtuar se ndër prioritet e UP-së mbetet ofrimi i shërbimeve për komunitetin, bizneset dhe institucionet. Ai poashtu theksoi se rëndësi e veçantë i është kushtuar përmirësimit të cilësisë së studimeve dhe ofrimi i mundësive për studentët që të angazhohen përmes punës praktike në institucione të ndryshme me qëllim që këta studentë të jenë më të përgatitur në të ardhmen.

Për Rektorin Sahiti, nënshkrimi i kësaj Marrëveshje është një fillim i mbarë i bashkëpunimit, për çka mbetën të përkushtuar që të thellojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen në të mirë të studentëve të UP-së dhe shoqërisë tonë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme