Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre për çmimin e lartë të energjisë elektrike. Sipas tyre, me uljen e temperaturave do të rritet niveli i konsumit, rrjedhimisht edhe do të “fryhen” faturat për pagesën e energjisë elektrike.
Shumë nga qytetarët nuk kanë njohuri se gjatë këtij viti, nuk do të aplikohen tarifat sezonale të energjisë verë –dimër, siç kanë qenë në zbatim për më shumë se një dekadë.
Që nga muaji prill i këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, ka marrë vendim që në Kosovë të aplikohen vetëm tarifat e ulëta dhe të larta, që nënkuptojnë tarifat e ditës dhe ato të natës.
Fetie Berisha, rreth 50 vjeç, nga Prishtina, thotë se tarifat aktuale të energjisë elektrike janë shumë të shtrenjta. Me të ardhurat familjare, thekson ajo, është vështirë të paguhen faturat.
“Çmimi është shumë i shtrenjtë. Vetëm nëse punojnë disa anëtarë të familjes mund ta përballojnë këtë çmim të energjisë, sepse katastrof është’, thekson Berisha.
Edhe Hajrë Rraci, pensionistë, vlerëson se krahasuar me pagat në Kosovë, tarifat e energjisë janë të larta.
Ndonëse me shumë rezerva, ai shpreson se me ndryshimin e strukturave dhe moslëvizjen e tarifave gjatë sezonit të dimrit, situata do jetë pak më e përballueshme.
“Për numrin më të madh të qytetarëve, çmimi është shumë i shtrenjtë e për disa ndoshta jo. Tash dimrit është edhe më shtrenjtë. Po kush u beson këtyre se nuk e rrisin çmimin. Por, nëse eventualisht nuk ndryshon tarifa verë –dimër, ndoshta do të jetë më lirë, por është vështirë tu besohet këtyre”, thotë Rraci.
Bazuar në çmimet e reja të aplikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, do të aplikohen vetëm tarifat ditore, përkatësisht tarifa e lartë dhe e ulët (ditë-natë). Për periudhën e natës, çdo kilovat i orës do të kushtojë për 0.3 cent, kurse gjatë ditës do të kushtojë 0.7 cent.
Por, disa qytetarë konsiderojnë se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, është vetëm maskim i formës së veprimit, sepse nuk është në favor të tyre.
Adil Isufi, shprehet se ndryshimi i tarifave nënkupton rritje të çmimit të këtij produkti.
“Është një formë e kamuflimit për të zbutur situatën. Struktura e re e tarifave nuk është në të mirë të qytetarëve, sepse çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë”, thotë Isufi .
Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile që merren më çështjet energjetike, theksojnë çmimi i energjisë elektrike në përgjithësi nuk është liruar.
Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, tha për Radion Evropa e Lirë se aplikimi i strukturës së re, nënkupton që konsumatorët, paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike gjatë kohës së verës.
“Nuk mund të themi se jemi duke paguar energjinë më lirë. Jemi duke subvencionuar në një mënyrë vetën gjatë periudhës së verës, në mënyrë që të kemi shpenzime tjera gjatë dimrit kur konsumi është më i madh”.
“Por, nuk duhet të mendojmë se çmimi i energjisë elektrike është më i lirë, në fakt produkti si produkt është më i shtrenjtë se qëka qenë në strukturën e vjetër tarifore”, thotë Gojani.
Tarifa e re e energjisë, sipas autoriteteve kompetente, do të nxisë konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës.
Nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e lartë aplikohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 23:00. Ndërsa gjatë natës, prej orës 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, aplikohet tarifa e ulët.
Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00 të mëngjesit deri në orën 22:00. Kurse gjatë natës, nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, tarifa e ulët.
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?