Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe taksa 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga zyrtarët e Qeverisë në largim të Kosovës, po shihen si pengesë reale që Kosova sivjet të aplikojë për statusin e vëzhguesit në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Sipas tyre, tashmë kanë përfunduar edhe përgatitjet teknike dhe se pritjet ishin që Kosova nga ky vit të aplikonte në OBT.
Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.
Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mundësitë janë reale që ky proces do të zvarritet për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, por edhe për shkak të zbatimit të taksës 100 për qind, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Gjasat janë reale që zvarritja të ndodhë për arsye politike në vend, por edhe për shkak të tarifës së vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës. Pra, mund të jetë një pengesë apo mund të na marrë kohë deri në dorëzimin e aplikacionit në OBT”, thotë Dervisholli.
Më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendimin për rritjen në 100 për qind të taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Ky vendim erdhi vetëm një ditë pasi që Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL dhe është parë si një kundërpërgjigje ndaj politikës agresive të Serbisë ndaj këtij anëtarësimi, si dhe lobimit të diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Megjithatë, Dervisholli rikujton se, përveç si kundërpërgjigje politike ndaj Serbisë, efektet e taksës, në radhë të parë, kanë karakter tregtar.
“Tarifa mund të jetë pengesë, në kontekstin që Kosova mund të themi se mund të kritikohet se gjoja nuk respekton parimet e tregtisë së lirë, edhe pse ne jemi munduar dhe kemi dhënë shpjegime në takimet e nivelit të lartë, por edhe në takimet e nivelit teknik, që tarifa është masë politike, por është një masë që ka karakter tregtar”, shprehet Dervisholli.
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se po shqyrtohet mundësia që Kosova të aplikojë për statusin e vëzhguesit në OBT për një periudhë, fillimisht pesëvjeçare.
Për këtë çështje, tashmë është hartuar edhe dokumenti i quajtur ‘Memorandumi mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme’,i cili përfshin më vete politikat tregtare dhe ekonomike të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i Organizatën Botërore të Tregtisë.
Krahas taksës, e cila nuk pritet të shfuqizohet pa një vendim të ri të qeverisë së ardhshme të Kosovës, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, edhe ciklet e shpeshta zgjedhore mund të ndikojnë në zvarritjen e këtij procesi.
Ismail Kastrati, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se procedurat për aplikim në këtë mekanizëm ndërkombëtar janë të vështira dhe që qeveritë e deritashme nuk kanë punuar sa duhet për aplikim në OBT.
“Sigurisht që zgjedhjet e zvarrisin këtë proces, por nëse formohet një qeveri e mirë, e cila i shtyn proceset përpara, mund edhe ta përshpejtojë procesin. Për këtë vit sigurisht që nuk mund të aplikohet, mirëpo përgatitjet nuk duhet të ndalen, në mënyrë që aplikojë vitin e ardhshëm”, vlerëson Kastrati.
Organizata Botërore e Tregtisë ka filluar punën në vitin 1995. Nga shtetet e rajonit, në vitin 2012, Mali i Zi është bërë anëtar i plotë i kësaj organizate.
Kurse, Kazakistani në vitin 2015 është bërë anëtari më i ri, i 162-ti, i Organizatës Botërore të Tregtisë, pas 20 vjetësh sa ka zgjatur procesi i negociatave.
Sveçla jep detaje të reja për aksionin e sotëm në veri
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...
Rashford e bën prioritet transferimin te gjiganti evropian, ...
Mbi 3 mijë pjesëtarë të policisë iu nënshtruan kontrolleve s...