Bizneset në Kosovë po e shfrytëzojnë gjithnjë e më tepër infrastrukturën hekurudhore për transportin e mallrave nga vende e Bashkimit Evropian.
Për gjashtë muajit e parë të këtij viti, sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, 153 mijë tonë mallra të ndryshme janë transportuar me tren, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, paraqet një rritje prej 59 për qind.
Sipas përfaqësueseve të komunitetit të biznesit dhe afaristëve në Kosovë, një nga arsyet e rritjes se transportit me tren ndërlidhet me shpenzimet më të favorshme financiare. Por, arsyeja kryesore, potencohet të jetë taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovinë, e cila i ka detyruar bizneset që të shmangin importin nga këto dy vende dhe të gjejnë tregje të reja për furnizim në vendet e Bashkimit Evropian.
Mallrat që më shumti transportohen përmes transportit hekurudhor me tren janë xehet e nikelit, pastaj produktet e drurit, e të tjera, të cilat kryesisht vijnë nga Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia, thotë për Radion Evropa e Lirë, Behxhet Haziri, zëdhënës i kompanisë Trainkos.
Një ndër kompanitë që shfrytëzon linjën hekurudhore është kompania Etika nga Suhareka, që merret me shitjen e laminatit, dyerve dhe dritareve.
Pronari i kësaj kompanie, Adrian Hoxhaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se importon laminat nga shteti i Gjermanisë duke shfrytëzuar infrastrukturën hekurudhore, për shkak se siç thotë ai, ka kosto më të ulët financiare.
“Kompania jonë transporton me tren, për arsye se është më lirë dhe bartim sasi më të madhe, sasi kjo që nuk mund të transportohet me kamionë. Transporti realizohet nga shteti i Gjermanisë, pasi atje e kemi gjetur tregun më të përshtatshëm”, tha Hoxhaj.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq theksojnë se arsyeja e rritjes së sasisë se produkteve të importuara përmes transportit hekurudhor ndërlidhet edhe me taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes, Agim Shahini, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, thotë se pas vendosjes së taksës, çmimi i transportit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është rritur, kështu që bizneset si alternativë më të favorshme përdorin shfrytëzimin e transportit përmes linjave hekurudhore për importin e mallrave nga vendet tjera evropiane.
“Pikërisht kjo është arsyeja sepse shumë produkte që janë bartur nga Serbia, janë zëvendësuar me prodhimet nga vendet e Bashkimit Evropian dhe se ato janë duke u bartur përmes transportit hekurudhor. Kostoja financiare e transportit hekurudhor është më e lirë, pavarësisht se relacionet janë më të gjata dhe vonesat janë më të mëdha”, thotë Shahini.
Ndryshe, infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.
Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 150 kilometra në orë.
Modernizimi i infrastrukturës hekurudhore do të rriste edhe më shumë transportin e mallrave, thotë Agim Shahini, sipas të cilit, me gjithë rritjen qarkullimit të mallrave me tren, kjo alternativë shfrytëzohet në mënyrë minimale, për shkak të infrastrukturë së dobët.
Por, bizneset këtë dobësi e kanë për shkak se aktualisht hekurudhat e Kosovës nuk kanë mundur të ofrojnë shërbime të ndryshme për operatorë të ndryshëm ekonomikë dhe kjo ka bërë që bizneset të orientohen ose në porte të ndryshme, si atë të Durrësit, Selanikut apo Tivarit dhe nga atje të bartin mallrat më maune të ndryshme. Kurse në të kaluarën, hekurudhat kanë zënë vend të rëndësishëm në zhvillimin ekonomisë së vendit, transportit dhe rritjes së forcës konkurruese të shumë operatorëve ekonomikë, që kanë përdorur hekurudhat si mundësi më e lirë për transport.
Në fillim të këtij viti ka nisur rehabilitimi i segmentit të parë hekurudhor në relacionin, Prishtinë-Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, që pritet të përfundojë në vitin 2021.
Ndërkohë, është paralajmëruar që së shpejti të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë-Leshak, në kufirin më Serbinë.
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi