Takohen O’Brien, Escobar dhe Lajçak, i koordinojnë strategjitë për dialogun Kosovë-Serbi

23:13 | 8 Maj 2024
E.G

Asistent Sekretari i Departamentit të Shtetit, Jim O’Brien, ka pritur sot në Washington dyshen e angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobarin, Zëvendës Ndihmës Sekretarin që mban edhe detyrën e të dërguarit special për Ballkanin.

O’Brien në një postim në “X”, tha se u koordinuan strategjitë për t’i çuar përpara Kosovën dhe Serbinë në dialogun e lehtësuar nga Brukseli, shkruan Arbresh.info.

“Diskutime të rëndësishme me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak sot. I koordinuam strategjitë për t’i çuar Kosovën dhe Serbinë tutje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA-ja fuqishëm mbështet dialogun si rrugë për marrëdhënie paqësore dhe produktive”, ka shkruar O’Brien.

Ndërkaq emisari Lajçak për takimin tha se u rikonfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm BE-ShBA.

“Kënaqësi të takoja Asistent Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar, sot në Uashington për të diskutuar rrugën përpara në dialog dhe çështje tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. U rikonfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm BE-ShBA”, tha Lajçaku./Arbresh.info/

Të ngjashme