Partia Demokratike e Kosovës dje ka refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të marrë pjesë në takimin mes tij dhe liderëve opozitarë për të biseduar në lidhje me zbatimin e marrëveshjes me Serbinë për njohjen e dokumenteve identifikuese.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se nuk e konsiderojnë të nevojshëm mbajtjen e një takimi, që sipas tij, është përgjegjësi e vetë kryeministrit si udhëheqës i Dialogut.
Për profesorin universitar dhe njohësin e çështjeve politike, Milazim Krasniqin, refuzimi i PDK-së për të marrë pjesë në këtë takim është i drejtë, sepse sipas tij, Kurti me opozitën nuk ka çfarë të bisedojë për problemet administrative-teknike dhe në prapavijë të këtij takimi mund të jetë krijimi i Asociacionit të komunave serbe.
“Për takimin që ka ftuar sot, Kurti nuk ka asgjë të rëndësishme për të kumtuar a biseduar, sepse problemi i letërnjoftimeve është një problem administrativ-teknik. Mund të jetë që në prapavijë të kësaj ftese është përgatitja e klimës për asociacionin (“Zajednicën”) por nëse është ashtu, ajo duhet të thuhet qartë e jo të maskohet”, tha ai.
Këtë ftesë të Kurtit, njëri ndër themeluesit e LDK-së e ka cilësuar si praktikë jodemokratike, ai thotë se për çështje të rëndësishme, qeveria duhet të bashkëpunojë me opozitën në Kuvend, e jo në takime të stilit të “bajraktarëve”.
“Praktika e kryeministrit Kurti që ta ftojë opozitën në një lloj bisede informative, si kur është ngushtë, ashtu edhe kur ndihet komod, është praktikë jodemokratike. Harmonizimet e qëndrimeve për çështje të rëndësishme shtetërore me opozitën, bëhen në Kuvend e jo në takime joformale të stilit të bajraktarëve”, deklaroi ai.
Sipas tij, opozita ka për detyrë që ta përmirësojë qeverinë, e jo të bëhet patericë e saj, dhe kështu, nuk ka pse të lidhet pas “qerres” së saj, duke bërë njëherësh edhe një krahasim me mënyrën se si ndahet përgjegjësia për Dialog në shtetin serb.
“Opozita, në çdo rast, duhet të jetë korrektuese e qeverisë, jo patericë e qeverisë. Prandaj, opozita nuk ka pse lidhet pas qerres së qeverisë, sa herë i ngecë qerrja në baltë. Qeveria duhet ta shtyjë vetë përpara qerren e vet. Mjafton që opozita të mos i vejë shkopinj nën rrota. (Sa për ilustrim: në Serbi Vuçiqi (qeveria) nuk konsultohet fare me opozitën për të njëjtën temë. Është përgjegjësi direkte e tij dhe e qeverisë serbe.)”, tha në fund Kransiqi.
Ndërkohë, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, përmes bisedës telefonike i ka thënë redaksisë sonë se nuk ka asnjë ndikim pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e kryetarit të PDK-së në këtë takim të kryeministrit me opozitën, dhe i mbetet anëtarësisë së PDK-së të vlerësojë këtë vendim të tij
“Unë mund të vlerësoj se me këtë vendim, Memli Krasniqi nuk ka bërë as mirë as keq, nuk e ka rrezikuar asnjë interes të shtetit të Kosovës, por as nuk i ka bërë ndonjë të mirë atij, dhe kjo është çështje e tij dhe e Partisë Demokratike të Kosovës, atyre iu takon të vlerësojnë”, tha Spahiu.
Ndërsa, Spahiu shtoi se kur është interesi kombëtar në pyetje, pozitë e opozitë duhet të qëndrojnë unikë, dhe kur nuk është në të mirë të Kosovës, nuk duhet të përkrahet qeveria nga opozita.
“Varësisht çfarë marrëveshje është, kur ka interes kombëtar opozita duhet ta përkrahë pozitën, aty ku nuk ka interes kombëtar, nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë, prandaj edhe ekzistojnë pozita dhe opozita në vendet demokratike, në mënyrë që aty ku “dallashitë” pozita, të jetë opozita, pra, të ketë njëfarë kontrolli”, tha në fund Spahiu.
Kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme i ka ftuar në takim të gjithë liderët e opozitës që të diskutojnë dhe t’i harmonizojnë qëndrimet në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ku nga takimi i Brukselit më 18 gusht, dy vendet ranë dakord që të njihen dokumentet identifikuese të Kosovës edhe brenda territorit serb.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë pranuar që të marrin pjesë në këtë takim, kurse kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka refuzuar të bëjë diçka të tillë./Emir Abduramani/arbresh.info/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?