Takimi Haradinaj-Merkel; Haradinaj nuk duhet të lëshojë pe për taksën

10:06 | 6 Qershor 2019
V. S.

Takimi i sotëm i kryeministrit Ramush Haradinaj me kancelaren gjermane Angela Merkel ku pritet të diskutohet për tarifën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe korrigjim të kufijve, ka ngjallë vëmendje të madhe.

E Haradinaj në këtë takim, pritet që të mbajë pikërisht këtë qëndrim për të cilin nuk u zmbraps asnjëherë, edhe përkundër presionit ndërkombëtar për pezullim të taksës.

Kjo çështje i gjen me mendime të ndryshme analistët politik në Kosovë, të cilët shprehin mendimet e tyre nëse  kryeministri duhet t’i qëndroj prapa qëndrimit të tij për mos pezullim të taksës, apo të heq dorë nga ajo.

Takimi i sotëm ka marrë vëmendje të madhe sidomos për faktin se është Gjermania është shteti i vetëm që ka mbajtur anën e kryeministrit Haradinaj.

Kështu, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se për Kosovën është e rëndësishme që të marrë garanci të fortë nga Gjermania se nuk do të ketë korrigjim të kufijve.

Ai beson se në këtë mënyrë do të rikonfirmohet edhe njëherë mbështetja e shtetit gjerman për liberalizimin e vizave.

“Unë besoj se taksa duhet të qëndroj dhe këtë qëndrim duhet ta mbrojë kryeministri Haradinaj, për shkak se taksa nuk ka të bëjë fare me dialogun dhe nuk është kusht për dialogun. Dhe në vend se presioni të jetë i drejtuar kundër Kosovës, duhet të drejtohet kundër Serbisë, për shkak se edhe Serbia e din se Bashkimi Evropian ndërmjetëson bisedime të pakushtëzuara. Kështu që në këtë rast, bisedimet nuk po i kushtëzon Kosova, por Serbia”, thotë Mushkolaj.

Duke mbrojtur qëndrimin e tij për tarifën ndaj mallrave serbe, Mushkolaj thotë se Haradinaj duhet të fokusohet në prezantimin e situatës aktuale në vend, në mënyrë që të bëhet e qartë njëherë e mirë se nuk është Kosova ajo që duhet t’i vihen kushte nga ndërkombëtarët.

“Zotit Haradinaj, prej shteteve të fuqishme, duket se vetëm Gjermania i ka mbetur aleat, në kuptimin qoftë të mbrojtjes së integritetit territorial, respektivisht kundër korrigjimit të kufijve, qoftë për çështje të tjera. Kështu që këtë takim me kancelaren Merkel, ai duhet ta shfrytëzojë sa më mirë që kancelares Merkel t’i prezantojë situatën ashtu çfarë vërtetë është në Kosovë dhe qëndrimin qoftë të tij si kryeministër, qoftë të presidentit Thaçi, për shkak si Thaçi jo në të gjitha takimet ka mbajtur qëndrime të njëjta”, shtoi ai.

Ndryshe nga Mushkolaj mendon Rasim Alija njohës i çështjeve aktuale në Kosovë.

Ai vlerëson se taksa 100 përqindje ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është një prej vendimeve popliste.

Por sipas Aliajt  kryeministri Haradinaj, detyrohet të mbrojë qëndrimin e tij pasi ndryshe ka rrezik që të bie Qeveria dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Kryeministri është në pozicion të vështirë sepse është thënë se do të bëhet një shkëmbim në mos heqjen dorë prej taksës dhe liberalizimit të vizave. Mirëpo e kemi parë presidentin që është këmbëngulës se nuk do të ketë kompromise, madje as sakrifikim të taksës për  hir të liberalizimit të vizave dhe e gjithë kjo reflektohet edhe me skenën politike në vend. Ajo që kryeministri e di është që është mundësia e tij e fundit që të mos iu bishtnoj vendimeve as të presidentit e as të PDK-së, sepse  kërcënohet direkt me zgjedhje dhe shkarkim të tij dhe rrjedhimisht vendi do të shkonte në zgjedhje. Këtë fakt e di shumë mirë kryeministri Haradinaj dhe unë mendoj se nuk do të ketë zmbrapsje prej taksës apo çfarëdo ndryshimi të qëndrimit ” , thotë Alija.

Sipas tij, Kosova nuk ka pasur benifite nga taksa 100 përqind që është vendosur ndaj shtetit serb duke thënë se nuk ka përfituar as përfitime ekonomike.

“Shohim se edhe raporte të ndryshme, nuk tregojnë që Kosova ka përfituar qoftë indirekt, qoftë direkt prej taksës, as përfitime ekonomike, ose janë shumë minimale. Ka qenë vendim populist. Është bërë në masë të madhe prej euforisë të mos pranimit të Kosovës në INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare. E kemi parë kryekëput që i ka shërbyer edhe kryeministrit për rritjen e elektoratit të tij”, shprehet ai.

Ai thotë se edhe ky takim është vetëm një prej takimeve në vazhdën e takimeve që prej ardhjes së delegacionit amerikan në Kosovë. Teksa shton se në Kosovë po mbretëron një çakordim total i politikës së jashtme.

Për të është shqetësuese se si pala kosovare, në mungesë uniteti, ka arritur të ndajë edhe miqtë ndërkombëtar në dy taborë.

“Ajo që është shumë shqetësuese është se kemi arritur që për herë të parë pas luftës që si klasë politike brenda vendit, me i nda miqtë ndërkombëtare në dy tabore. Ka ardhur çështja se a jeni me ne a me Amerikën dhe kjo është si rezultat i dështimit total të institucioneve të vendit. Kur them institucionet e vendit e kam parasysh këta që janë në krye të institucioneve, që i prijnë Presidencës, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Jashtme. Do të thotë kemi një dështim total të politikës së jashtme sa i përket Kosovës”, ka thënë Alija .

Në fillim kryeministri Haradinaj u la i vetëm në qëndrimin e tij për mospezullimin e taksës, tash së fundmi është presidenti Hashim Thaçi ai që ka ndryshuar mendje dhe që publikisht po mban anën e Haradinajt, duke thënë se “pezullimi i taksës mund të jetë i dëmshëm”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme