Tahiri: S’mund të kërkojmë përgjegjësi prej gjyqtarëve e prokurorëve pa u ofruar kushte

00:10 | 13 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se do të ketë rritje të pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.

Për Interaktiv të KTV-së, Tahiri ka thënë se këtë çështje do ta rregullojë me ligj, nëse vendimi i Qeverisë për rritje të pagave nuk pranohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Çështja është në gjykatën Kushtetuese. Kemi konfirmimin edhe nga ministri Hamza edhe nga kryeministri Haradinaj se nëse vendimi i Qeverisë nuk bie ndesh me Kushtetutën, prokurorët e gjyqtarët do të marrin pagat me rritje retroaktivisht. Por edhe ashtu, Qeveria deri në fund të muajit do ta dërgojë Ligjin për Pagat në Kuvend të Kosovës dhe besoj se kjo është çështje që do të rregullohet me ligj”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë pagë ekuivalente me ministrat. Ai ka shtuar se një asistent në Aviacionin Civil ka pagë më të lartë se gjyqtari dhe kjo, sipas tij, është e padinjitetshme.

“Për çështjen e pagave gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë pagë ekuivalente me ministrat. Në ranglistën shtetërore të pagave jemi në vendin e 40-të. Në rregull, s’po flas për ministra por nuk është e dinjitetshme që për një vend prokurori e gjyqtari të jetë i 40-i në listë për paga. Kjo nuk është dinjitoze. Kjo formë duhet rregulluar me ligj. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë pagë të dinjitetshme sepse janë pjesë e agjencive ligjzbatuese. Puna e tyre ndikon direkt në përditshmërinë tonë. S’mund të kërkojmë përgjegjësi nëse s’u ofrojmë kushte”, ka thënë Tahiri.

Ai është ankuar edhe në mungesën e asistentëve të gjyqtarëve, ndërsa është zotuar se këtë mungesë do ta largojë deri në fund të mandatit./Koha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme