Tahiri: Shkarkimi i Martin Berishajt rrezikon t’i tërheqë pas vetes edhe Kurtin e Osmanin

13:58 | 11 Janar 2023
A. B.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se afera sipas tij në përmasa milionëshe e ambasadorit Martin Berishaj duhet të hetohet nga një Task Forcë me prokurorë dhe hetuesë më të mirët që ka sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Tahiri përmes një postimi në “Facebook”, tha se faktet e reja të publikuara në media për skandalin e Martin Berishajt duhet të hetohen në një formë të pavarur.

Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Faktet e reja të publikuara në mediat tona për përmasat milionëshe të aferës së Martin Berishajt dhe implikimet e financimit nga mafia energjetike të fushatave zgjedhore, që në Kosovë kanë prodhuar një kryeministër dhe një presidente, duhet të hetohen nga një trup special apo një Task Forcë me prokurorët e hetuesit më të mirë që i ka Kosova, e ngarkuar ekskluzivisht me këtë qëllim. Natyrisht, shkarkimi i Ambasadorit Berishaj nuk është më çështje opsionale, përveç nëse ai, siç edhe po duket, rrezikon t’i tërheqë pas vetës edhe kryeministrin edhe presidenten./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme