Tahiri: Serbia sot merr përgjigje zyrtare se nuk do të jetë pjesë e hetimeve për vrasjen e Ivanoviqit

15:13 | 18 Janar 2018
Arbresh.info

Serbia vazhdimisht po kërkon të përfshihet në hetimin që po zhvillojnë organet përkatëse në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e së martës para selis së partisë që ai drejtonte në veri të Mitrovicës.

Mirëpo, disa herë udhëheqësit e vendit deklaruan se Serbia nuk do të jetë pjesë e hetimeve sepse institucionet e Kosovës do merren më këtë rast, mirëpo deklaratat e tilla shteti serb po bëhet se nuk po i dëgjon.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i tha lajmi.net se disa here i është bërë e qartë Serbisë se vetëm mund të ketë bashkëpunim për këmbim të informatave, por jo edhe për përfshirje në këtë rast.

“Këtë e kemi bërë të qartë edhe më herët se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë akterët që janë të interesuar ta ndihmojë zbardhjen e kësaj vrasje, këtij rasti makabër, ndaj zotëri Oliver Ivanoviq, mirëpo në asnjë rrethanë nuk do të involvohet në zhvillimin e hetimeve në Republikën e Kosovës sa i përket kësaj çështjeje. Janë vetëm agjencionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht Policia e Kosovës dhe Prokuroria të cilat do t’i zhvillojnë hetimet rreth kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë.

Tahiri ka bërë të ditur se sot janë takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn me të cilin kanë biseduar për t’i kthyer sot përgjigje zyrtare Serbisë.

“Sot së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme (Flamur Sefaj) do t’i kthejmë përgjigje institucioneve të Serbisë të cilat kanë kërkuar bashkëpunim në këtë çështje”, potencoi ai.

Tutje, Tahiri tha se asnjëherë nuk kam pasur kërkesë nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë që të involvohet në hetimin e këtij rasti, por është kërkuar vetëm bashkëpunim.

“E ri theksoj edhe një herë se kërkesa që ju ka drejtuar Ministrisë së Drejtësisë nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Serbisë, ka qenë për shkëmbim të informatave me qëllim të zbardhjes së rastit. Në asnjë rrethanë, asnjëherë nuk kam pasur kërkesë nga Ministria (serbe) e Drejtësisë  që të involvohet në hetimin e kësaj ngjarjeje. Pra, ne jemi të gatshëm në kuadër të marrëveshjes së Brukselit që të kemi bashkëpunim të ndërsjellët mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës”, ka qartësuar Tahiri në lidhje me deklaratat e shtetit fqinjë se është kërkuar pjesëmarrja në hetim.

Më pas, Tahiri gjatë bisedës telefonike me lajmi.net ka thënë, se ministria që ai drejton (e Drejtësisë) do t’i ndajnë me Serbinë vetëm ato informacione që çojnë në gjetjen e vrasësit.

“Si Ministri e Drejtësisë dhe Ministri e Punëve të Brendshme jemi të gatshëm t’i ndajmë informatat që i kemi mes vete që ta ndihmojmë zbardhjen dhe nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasje para drejtësisë.  Mirëpo, hetimet në Republikën e Kosovës i zhvillojnë vetëm institucionet e Kosovës. Pra, do të fillojmë bashkëpunimin në ndarjen e informacioneve që ata kanë, që mund t’i japin institucioneve të Kosovës dhe, ne që mund t’i japim atyre për gjetjen e autorit të vrasjes, mirëpo në asnjë rrethanë nuk do të involvohen në hetimet që po zhvillohen në Republikën e Kosovës”, thotë mes tjerash ministri në lidhje rasti e vrasjes së Ivanoviqit.

Serbia në mënyrë të përsëritur ka thënë se ka kërkuar gjithashtu nga EULEX-i dhe UNMIK-u, që të merr pjesë në vrasjen e Ivanoviqit, e duke shpresuar në përgjigje pozitive EULEX-it u ka thënë, se institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për këtë dhe nuk i takon një shteti tjetër të përfshihet.

Ndërsa, me të pyetur ministrin Tahiri për këto kërkesa të Serbisë ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë ai ka thënë: “Edhe EULEX-i edhe UNMIK-u e kanë të qartë se janë institucionet e Kosovës ato të cilat e bëjnë hetimin në lidhje me këtë rast. EULEX-i mund të ndihmojë në rast që kërkojnë institucionet e Kosovës, mirëpo janë agjencitë ligjzbatuese Policia e Kosovës, Prokuroria e Kosovës ato të cilat do ta kryejnë punën e vetë dhe jemi të bindur se kryerësit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë”./lajmi.net

Të ngjashme