Tahiri: Sektori privat po përballet me vështirësi të mëdha

21:04 | 23 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se sektori privat është duke u ballafaquar me vështirësitë më të mëdha që i ka pasur në dhjetë vitet e fundit.

Tahiri përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit.

“Kosova po kalon nëpër një krizë, që është një ndër më të thellat, si në rrafshin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm, e po ashtu në aspektin ekonomik. Ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit. Sektori privat është duke u ballafaquar me vështirësitë më të mëdha që i ka pasur në dhjetë vitet e fundit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se sektori privat në Kosovë është duke hyrë në një periudhë kohore shumë të padefinuar, është në mjegull dhe në rrezik të ekzistencës së tyre.

“Problemet e shkaktuara nga Qeveria me mos investime kapitale, tash e tri vjet, pra me mos shfrytëzimin e më shumë se 1 miliard euro për t’i futur në qarkullim, politikat ekstremisht të gabuara fiskale, tatimore dhe mosthithja e investimeve të huaja, është kah e rrezikon secilin investim në sektorin privat”.

“Sektori privat në Kosovë është duke hyrë në një periudhë kohore shumë të padefinuar, është në mjegull dhe në rrezik të ekzistencës së tyre. Është tejet e rëndësishme që Qeveria të ulet e të bisedojë me sektorin privat se si të dilet nga kjo krizë, e cila e ka prek secilin aktivitet të biznesit të vogël, të mesëm dhe të korporatave. Para se të bëhet vonë e të kemi një kolaps të sistemit të ekonomisë në vend, Qeveria duhet të veprojë” është shprehur Tahiri./rtk/

Të ngjashme