Google ADS

Tahiri rrëfen për takimin pas dasmës me Grabovcin dhe kërkesën e tij

21:09 | 19 Dhjetor 2017
M. A.

Deputeti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Labinot Tahiri ka rrëfyer sot për takimet e tij me zyrtarë të PDK-së, përfshirë Adem Grabovcin, para formimit të Qeverisë së Kosovës, në muajin gusht të këtij viti.

Tahiri, në një intervistë për RTV Dukagjinin, ka treguar se me Adem Grabovcin ishte takuar pas një dasme, ku kishte shkuar të ushtronte profesionin e tij të këngëtarit. Deputeti i AKR-së konfirmoi se me Grabovcin kishte biseduar për votën e tij.

“Po e kam takuar Adem Grabovcin, pasi që kishte përfunduar një dasmë ku isha”, ka treguar Tahiri.

Tahiri thotë se shumicën e anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës i ka pasur miq, pasi siç tha ai, i kishte takuar edhe më parë – para se të inkuadrohej në politikë.

“I kam njohur shumicën prej PDK-së, i kam pasur miq. E kanë diskutuar një mundësi për votën time, por jo që kanë tentuar me doemos me e marrë votën time”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për takimet me kryeministrin aktual të Kosovës dhe ish-kandidatin për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA. Ai ka thënë se ka pasur presione miqësore nga Haradinaj, për ta votuar qeverinë Haradinaj.

“Presione miqësore duhet të them, dhe jo kështu që kanë thënë ‘u ble Labi’. Normalisht, kam lobuar tërë kohën për t’u bërë kjo qeveri që është”, ka thënë Tahiri

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme