Raportuesja e posaçme e Parlamentit të Evropës për Kosovën, Ulrike Lunacek, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit “që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të vazhdojnë procesin e dialogut”. Ajo njëkohësisht i ka bërë thirrje Beogradit që të “tërheq të vjetrat”.
Thirrja e Lunacek pasoi Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, të miratuar me shumicë votash, të enjten, me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë, deri në lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht, në Colmar të Francës.
Haradinaj u ndalua në Bazel më 4 janar nga policia franceze mbi bazën e një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, me akuzat për krime lufte.
Rezoluta e Kuvendit, ndërkaq, është cilësuar nga BE-ja të jetë në kundërshtim ‘me përkushtimin e Kosovës për dialogun dhe normalizim të marrëdhënieve’.
Në një deklaratë të zëdhënëses së BE-së “u bëhet thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës, që të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, të zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe të avancojnë edhe në normalizimin e marrëdhënieve dhe në perspektivën evropiane”.
Por, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘Qeveria do ta respektojë rezolutën e Kuvendit me të cilin kërkohet pezullimi i dialogut më Serbinë”.
“Qeveria dhe unë si kryenegociatore e respektojmë rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e miratuar dje. Që nga fillimi i dialogut me 2011, ne si qeveri kemi respektuar të gjitha rezolutat e Kuvendit dhe mbetemi të përkushtuar në këtë drejtim”, tha Tahiri, pa saktësuar se cilat mund të jenë ‘dëmet që Kosova mund të ketë me pezullimin e dialogut’.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, citohet nga mediet serbe të ketë deklaruar se “është bërë e qartë se autoritetet në Prishtinë me ngritjen e tensioneve kanë kërkuar justifikim për ndërprerjen e dialogut”.
Gjuriq, siç citojnë mediet serbe një kumtesë të tij, ka shprehur “përkushtimin e Beogradit për dialogun”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i filluar prej më shumë se 5 vjetësh, është cilësuar si “alternativa e vetme” që mund të japë rezultate.
Ish zëvendës ndërmjetësi në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “dialogu ka sjellë një përparim të vogël në çështjet teknike dhe ka shpresë që do të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
“Dialogu është sigurisht më i mirë se çdo gjë tjetër që mund të mendohet. Është i vështirë dhe sërish Beogradi po tregon shenja se nuk e do realisht normalizimin. Për shembull, çështja me trenin drejt Mitrovicës tregojnë se ka ende elemente në Beograd që nuk janë të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve. Është e vështirë, por të dyja palët kanë të drejtë kur thonë se dialogu s’ka alternativë dhe duhet të vazhdojë sado që të jetë frustrues dhe i vështirë”, ka deklaruar Rohan.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hapur kapituj të ri të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.
Zarf gri dhe eleminim, sonte pritet një ‘prime’ i zjarrtë në...
Kumbaro: Buxheti 2025 me rritje – 10,4 milionë vizitor...
Projektbuxheti 2025- Balluku: Financim Korridorit 8 dhe Blu,...
A të bën të lumtur paraja? Përgjigjen banorët
Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë Memorandumin e M...
Haradinaj: Të tjerët japin grante për familjarë, ne do të ul...