Tahiri: Rezoluta kundër Thaçit do të ishte puç kushtetues

20:52 | 3 Shtator 2018
Arbresh.info

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet miratimi i një rezolute e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për korrigjim të kufirit.

Njohësit e rrethanave politike thonë se më mirë sesa miratimi i një rezolute, do të ishte zyrtarizimi i një ekipi negociator me përfshirje të gjerë. Megjithatë, sipas analistëve, miratimi i një rezolute konsiderohet puç kushtetues.

Analisti politik Ramush Tahiri, thotë se Kuvendi i Kosovës nesër do të dështojë ta miratojë rezolutën e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territorin e Kosovës. Por edhe nëse eventualisht miratohet rezoluta, sipas Tahirit, ky do të ishte një puç kushtetues.

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti, thotë se në vend të rezolutës Kuvendi nesër do të duhej të arrinte konsensusin për zyrtarizmin e një grupi negociator, të cilit, sipas tij, në çdo variant do t`i printe presidenti Thaçi, njësoj siç bëri ish-presidenti Sejdiu në negociatat e Vjenës.

Kuvendi i Kosovës deri tani ka miratuar dhjetëra rezoluta për çështje të ndryshme, në mesin e tyre edhe për dialogun me Serbinë në vitin 2012, ndërsa vetëm në 9 muajt e këtij viti ka miratuar 18 rezoluta.

Albert Krasniqi nga KDI thotë se rezolutat si akt nuk kanë asnjë efekt juridik, por, sipas tij, miratimi i një rezolute në seancën e nesërme do të ishte tregues i një vullneti politik për ta kundërshtuar presidentin e vendit në idetë e tij për shkëmbim territoresh.

Seanca e nesërme e Kuvendit mbahet pas kërkesës së opozitës, si reagim ndaj deklarimeve të presidentit Thaçi që në dialogun me Serbinë të bisedohet edhe për korrigjim kufijsh në mes të dy vendeve. /RTK

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme