Google ADS

Tahiri: Qeveria nuk duhet të ketë më shumë se 17 Ministri

00:37 | 30 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reformën Shtetërore, ka qenë i ftuar në “Interaktiv” të KTV-së.

Për herë të parë Qeveria e Kosovës ka emëruar koordinatorë për çështje të caktuara, derisa Tahiri ka thënë se puna e tij ndërlidh disa çështje që lidhen me reformën në administratë.

Njëra ndër punët e tij është kryesimi i Grupit për hartimin e Ligjit për Qeverinë.

“Paramendoni deri tani Qeveria ka funksionuar vetëm me disa rregullore”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se hartimi i Ligjit për Qeveri nuk po del proces aq i lehtë.

“Ligji për Qeverinë duhet t’i zvogëlojë Ministritë. Tema është në çfarë forme me ndal këtë Qeveri apo ato të ardhshmet që mos ta rrisin numrin e Ministrive. Unë mendoj se Qeveria nuk ka nevojë të ketë më shumë se 15 ministri, më së shumti 17 ministri. Politilogët thonë se nuk mund të sanksionohet, ose t’i diktohet një programi politik se sa ministri mund të ketë. Por mendoj se duhet të sanksionohet maksimumi”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se secila Ministri duhet të ketë edhe 2 zëvendësministra, ndonëse kjo mund të jetë taksative.

Ndër të tjera Tahiri ka thënë se po merret edhe me inventarizimin e provave të Komunave, proces ky i cili do t’u ndihmojë Komunave për zhvillim ekonomik. Tahiri ka thënë se Ligji për Shfrytëzimin e Pronave Publike, sikurse edhe ai për Paga duhet të shkojnë me procedurë të përshpejtuar.

E në kuadër të Ligjit për Paga ai ka thënë se do të bëhet nivelizimi i koeficienteve të pagave. Sipas tij, hierarkia e pagave në sektorin publik do të jetë i pari Presidenti, pas tij kryeparlamentari, mandej kryeministri e kategoritë e tjera kushtetuese. Sipas kësaj, paga e kryeministrit e cila me vendim të Haradinajt u rrit për më shumë se njëfish (nga 1300 në 2950 euro) do të zbritet.

Tahiri ka thënë se ndër përfituesit më të mëdhenj të këtij nivelizimi do të jenë policët e Kosovës. Ka thënë gjithashtu se po punohet të bëhet një pagë fikse për asamblistët, të cilët aktualisht paguhen vetëm në bazë të seancave që mbajnë. Nuk ka përmendur shifra të sakta, por ka thënë se kjo pagë mund të sillet në rreth 400 euro.

Ai ka pranuar se në Kosovë nuk respektohet shumë kriteri i meritokracisë dhe konkursi për punësim në sektorin publik./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme