Google ADS

Tahiri: Mazhoranca aktuale e papërgjegjshme dhe arrogante

16:51 | 25 Qershor 2021
A. B.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka vlerësuar mazhorancën e aktuale, që udhëhiqet nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti si të papërgjegjshme dhe arrogante.

Pas dështimit të sotëm të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku munguan anëtarët e Kryesisë nga koalicioni qeveritar, Tahiri tha se kësaj mazhorance, i mungon serioziteti për të shtyrë përpara agjendën qeverisëse, si dhe për të përmbushur funksionet themelore institucionale të Kuvendit të Republikës.

“Mazhoranca megjithatë, po di të organizohet e të bëhet bashkë kur është fjala për shkarkimet e paligjshme, duke e kthyer institucionin qendror të demokracisë sonë, në një gjyq publik të ndëshkimit të profesionistëve që s’nënshtrohen urdhrave politik të tyre. Është zhgënjyese që deri me tash s’qenë në gjendje të sjellin asnjë projektligj për ndryshimet strukturore që i kanë premtuar, a në anën tjetër me sukses të plotë janë bërë një ndërmarrje për punësime familjare”, ka thënë Tahiri përmes një postimi në Facebook.

Kreu i deputetëve të PDK ka ftuar publikisht kryeparlamentarin Glauk Konjufca që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të punës së Kuvendit dhe kontrabandimit të vendimeve të paligjshme.

“E ftoj publikisht Kryetarin e Kuvendit që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të punës së Kuvendit dhe kontrabandimit të vendimeve të paligjshme”, ka shkruar Tahiri. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme