Google ADS

Tahiri: Me ligj do të garantojmë rol të fuqishëm të grave në trashëgimi

15:30 | 25 Nëntor 2017
Arbresh.info

Jo shumë gra llogaritet se trashëgojnë pronë në Kosovë. Statistikat thonë se është vetëm 5 % e tyre që e gëzojnë këtë të drejtë. Një ligj ekzistues nuk kishte arritur të krijonte barazi në këtë drejtim. Andaj, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka marrë iniciativë për ta ndryshuar këtë ligj, dhe tashmë ai është në Kuvend dhe pret miratimin.

Në një status në Facebook, Tahiri ka thënë ky ligj synon të krijojë ambient të barabartë për trashëgiminë në pronë.

Ky është statusi i tij i plotë në facebook:

“Aktualisht, vetëm 5 % e femrave trashëgojnë pronë. Kjo nuk është mirë për shoqërinë tonë dhe duhet të ndryshojë rrënjësisht. Ligji aktual nuk ka ndryshuar situatën. Për këtë qëllim, kam sponsorizuar projektligjin për plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, synimi i vetëm i të cilit është fuqizimi i të drejtave të grave për trashëgimi.

Me ndryshimet që do të bëjmë, do forcohet roli i gruas në trashëgimi duke ofruar mundësi të trajtimit të çështjeve trashëgimore edhe të bashkëshortëve jashtëmartesor, do rrisë efikasitetin si dhe shkurtojë afatet kohore për shqyrtimin e lëndëve trashëgimore. Hapa të tillë do të ndikojnë në rritjen e sigurisë juridike.

Ky projektligj, është hap konkret që fuqizon konceptin e barazisë gjinore në çështjet e trashëgimisë dhe si i tillë, avancon pozitën e gruas në shoqëri, ashtu siç e meriton.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë para vetës këtë projektligj, të mërkurën. Ata kanë rastin e mirë për t’i dhënë përgjigje unike fuqizimit të rolit të gruas në çështjet e trashëgimisë, dhe pres që ta miratojnë projektligjin në shqyrtimin e parë”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme