Tahiri-Kurtit: T’i njohësh kriminelët dhe të mos i arrestosh është logjikë e dobët

12:39 | 2 Qershor 2023
Artiona Citaku

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit përmendi disa prej kriminelëve në veri.

Tahiri tha se është skandaloze dhe e papranueshme të mos bëhet asnjë hap drejt arrestimit të kriminelëve kur dihet se kush janë ata.

“Pra me dëgju kryeministrin e Kosovës, kur flet për banda kriminale dhe flet për të gjithë me radhë me emër dhe sikur të kishte folur për bandat të cilat e kanë bërë një dëm në Republikën e Kosovës dhe kanë ikur në Serbi, është një mesazh i mirë, se do t’u thoshte që po e dimë të gjithë kush jeni dhe do të iu kapim të gjithëve dhe do të iu arrestojmë, edhe do të iu shtijmë në burg brenda. Mirëpo me dëgju kryeministrin e Kosovës, kur flet për bandat kriminale që janë në veri, vazhdojnë të jenë në veri, dhe nuk guxon të marrësh asnjë veprim ndaj tyre, çfarë mesazhi është për ta, me i thënë që ne e dimë kush jeni por nuk guxojmë të marrin asnjë veprim. Kjo është e tmerrshme, është skandaloze. Kjo e tregon logjikën e të dobëtit, pra nuk duhet me ra në këtë pozitë kryeministri”, tha Tahiri.

Ai përmendi edhe raportet me ndërkombëtarët ku tha se është mjerim që Kosovës po i kërkohet deeskalim.

“Kjo është e papranueshme. Duhet të merren hapa që këta njerëz të cilët janë duke cënuar rendin dhe ligjin në veri të Kosovës në 4 komuna duhet të jenë në burg. Ne nuk mund ta reduktojmë sovranitetin tonë si shtet në oborret e katër komunave. Në anën tjetër rrafshi ndërkombëtar, ju e shihni që 4 ditë jemi në ballinë të gazetave më të mëdha prestigjioze në botë, poashtu për eskalimin e situatës. Dhe çka i kërkohet Kosovës, de-eskalim. Kjo është mjerim”, tha Tahiri në Kuvend.

Kjo seancë është thirrur me qëllim për shkak të tensioneve në komunat veriore./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme